BOTA, 7 Maj 2026, 10:04

Familjarët ngritën alarmin/ U zhduk papritur në New York, gjendet ish-modelja që denoncoi Jeffrey Epstein për abuzim

Familjarët ngritën alarmin/ U zhduk papritur në New York, gjendet

Ish-modelja italiane Elisabetta Ferretto është gjetur shëndoshë e mirë në SHBA, pasi familjarët e saj ngritën alarmin për zhdukjen misterioze në New York.

Sipas “New York Post”, 50-vjeçarja kishte ndërprerë papritur kontaktet me familjen më 22 prill, ndërsa kishte çaktivizuar edhe rrjetet sociale, duke shqetësuar të afërmit e saj në Itali.

Ferretto, e cila jeton në New York që prej vitit 2001, është një nga gratë e para që akuzoi Jeffrey Epstein për abuzim seksual.

Në fillim të muajit prill, ajo kishte udhëtuar drejt rajonit Veneto në Itali për të vizituar familjen, por pasi u rikthye në SHBA, kontaktet e përditshme me nënën dhe të afërmit u ndërprenë papritur.

Familjarët e alarmuar e raportuan të zhdukur, ndërsa Ministria italiane e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, konfirmoi më pas se Ferretto është gjetur shëndoshë e mirë.

Megjithatë, deri tani nuk janë bërë publike detaje mbi vendndodhjen apo arsyen e zhdukjes së saj.

Në një intervistë të dhënë për “New York Post” në vitin 2019, Ferretto kishte rrëfyer përvojën tronditëse me Jeffrey Epstein. Ajo tregoi se në vitin 2004 ishte dërguar në rezidencën e tij në Manhattan me premtimin se do ta ndihmonte të bëhej modele e Victoria’s Secret.

Sipas dëshmisë së saj, takimi mori një kthesë shqetësuese kur Epstein nisi të zhvishej përpara saj dhe i dha një lodër seksuale.

“E kapa vibratorin dhe ia hodha në kokë”, kishte treguar ish-modelja, duke shtuar se më pas u largua me vrap nga rezidenca e financierit./New York Post