BOTA, 30 Dhjetor 2025, 19:55

Erdogan: Njohja e Somalilandit nga Izraeli është e paligjshme dhe e papranueshme

Erdogan: Njohja e Somalilandit nga Izraeli është e paligjshme dhe e

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha nënjë konferencë se, njohja e Somalilandit nga Izraeli është e paligjshme dhe e papranueshme. Ai tha se kjo kërcënon të destabilizojë rajonin më të gjerë. 

"Ruajtja e unitetit dhe integritetit të Somalisë në çdo rrethanë është me rëndësi të madhe për ne. Vendimi i Izraelit për të njohur Somalilandin është i paligjshëm dhe i papranueshëm. Qeveria e Netanyahut, përgjegjëse për vdekjen e 71,000 palestinezëve, tani po përpiqet të destabilizojë Bririn e Afrikës, pas sulmeve të saj në Gaza, Liban, Jemen, Iran, Katar dhe Siri", theksoi presidenti turk.

Erdogan tha gjithashtu se Turqia planifikon të fillojë shpimet në det të hapur në brigjet e Somalisë në vitin 2026 sipas një marrëveshjeje dypalëshe, duke shtuar se dy anije të reja lundruese shpimi do t'i shtohen flotës turke.

Mediat e huaja shkruajnë se Ankaraja, dënoi njohjen e Somalilandit nga Izraeli, një provincë e shkëputur e Somalisë, duke e quajtur atë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një vendi tjetër. Turqia ofron mbështetje ushtarake dhe ekonomike për autoritetet në Somali, një vend i shkatërruar nga lufta civile që nga fillimi i viteve 1990.

Përveç kësaj, Turqia po ndihmon në rindërtimin e ushtrisë së vendit dhe në restaurimin e infrastrukturës së tij, duke siguruar njëkohësisht praninë e saj në Afrikën Lindore. Somalilandi shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë në vitin 1991, ndërsa Somalia u zhyt në kaos pas përmbysjes së regjimit ushtarak të Siad Barre.

Që atëherë, ajo ka vepruar në mënyrë autonome, me monedhën e vet, ushtrinë dhe policinë, dhe stabilitet relativ krahasuar me pjesën tjetër të Somalisë, e cila është pllakosur nga paqëndrueshmëria kronike politike dhe po përballet gjithashtu me sulme nga grupi rebel islamik Al-Shabaab.

Përveç Izraelit, Somalilandi nuk njihet nga asnjë vend tjetër dhe mbetet relativisht i izoluar politikisht dhe ekonomikisht pavarësisht vendndodhjes së saj strategjike në hyrje të Ngushticës Bab el-Mandab, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare detare që lidh Oqeanin Indian me Kanalin e Suezit.