BOTA, 2 Dhjetor 2025, 20:19

Elon Musk mbetet njeriu më i pasur në botë, teknologjia dhe AI dominojnë listën e Forbes! Kush janë "top 10"

Elon Musk mbetet njeriu më i pasur në botë, teknologjia dhe AI

Teknologjia kompjuterike, rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale dominojnë listën e njerëzve më të pasur në botë për muajin dhjetor, sipas renditjes së Forbes.

Elon Musk mbetet njeriu më i pasur në botë, pavarësisht një uljeje të vogël të pasurisë së tij.

Vlera e pasurisë së tij vlerësohet në 483 miliardë dollarë, edhe pas rënies me 6% të aksioneve të Tesla-s dhe humbjes prej 15 miliardë dollarësh.

Dhjetëshja kryesore e Forbes për dhjetorin është:

Elon Musk

Larry Page (nga vendi i 4-t në nëntor)

Larry Ellison (nga vendi i 2-të)

Jeff Bezos (nga vendi i 3-të)

Sergey Brin (nga vendi i 6-të)

Mark Zuckerberg (nga vendi i 5-të)

Bernard Arnault

Jensen Huang

Michael Dell (nga vendi i 10-të)

Warren Buffett (nga vendi i 11-të)

Pasuria e përbashkët e këtyre dhjetë miliarderëve arrin në 2.4 trilionë dollarë.

Fituesit dhe humbësit

Pas lançimit të modelit të ri të inteligjencës artificiale të Google, Gemini 3, në mes të nëntorit, kompania mëmë Alphabet dhe themeluesit e saj kanë fituar terren në renditje.

Pasuria e Larry Page u vlerësua në 262 miliardë dollarë më 1 dhjetor, me një rritje prej 30 miliardë dollarësh krahasuar me 1 nëntorin, falë rritjes me 14% të aksioneve të Alphabet.

Page, i cili më 1 nëntor renditej i katërti, la pas Larry Ellison të Oracle dhe Jeff Bezos të Amazon, të cilët ranë nga një vend secili, në të tretin dhe të katërtin.

Sergey Brin, bashkëthemelues i Google, ishte fituesi i dytë më i madh mes dhjetë më të pasurve, pasuria e tij u rrit me 27 miliardë dollarë duke arritur në 242 miliardë, duke e ngjitur atë një pozicion më lart.

Ndërkohë, Warren Buffett, kompania e të cilit Berkshire Hathaway zbuloi se mban një pjesëmarrje prej pothuajse 5 miliardë dollarësh në Alphabet, ishte fituesi i tretë më i madh dhe i vetmi anëtar i ri në dhjetëshen e këtij muaji krahasuar me muajin kaluar.

Pasuria e Buffett u rrit me 9 miliardë dollarë, duke arritur në 152 miliardë, dhe ai u ngjit nga vendi i 11-të në të 10-in, teksa aksionet e Berkshire u rritën me 8%.

Ai zëvendësoi ish-CEO-n e Microsoft-it, Steve Ballmer, i cili ra nga vendi i 9-të në të 11-in pasi pasuria e tij u tkurr me 6 miliardë dollarë, duke arritur në 149 miliardë.

Larry Ellison, që mbante vendin e dytë që nga mesi i qershorit, ishte humbësi më i madh mes dhjetë më të pasurve në botë. Aksionet e Oracle ranë me 23% dhe pasuria e tij u zvogëlua me 67 miliardë dollarë, duke rënë në 253 miliardë.

Humbësi i dytë më i madh, Jensen Huang nga Nvidia, arriti të ruante vendin e 8-të, pavarësisht se aksionet e kompanisë së çipave ranë me 13% dhe pasuria e tij personale u ul me 22 miliardë dollarë, duke zbritur në 154 miliardë.