BOTA, 25 Maj 2026, 15:58

Ebola mbërrin në Itali? Dy persona të kthyer nga Uganda shtrohen në spital, kanë simptoma të etheve

Ebola mbërrin në Itali? Dy persona të kthyer nga Uganda shtrohen

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka aktivizuar monitorimin shëndetësor për dy persona që u kthyen nga Uganda me ethe dhe aktualisht janë të shtruar në një spital në Milano, ndërsa familjarët e tyre janë nën monitorim.  

Dy personat me simptoma të etheve janë transferuar në Spitalin Sacco, një strukturë e pajisur me nivelet më të larta të biokontaminimit dhe menaxhimit të sëmundjeve infektive me rrezik të lartë, ku do të kryhen testet diagnostikuese në përputhje me protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Rreziku në Itali është shumë i ulët.”, tha ministria, duke theksuar se “sistemi kombëtar i gatishmërisë dhe reagimit ndaj emergjencave të sëmundjeve infektive është plotësisht funksional dhe të gjitha procedurat e nevojshme për të menaxhuar çdo rast të dyshuar janë aktivizuar”.

Kujtojmë që shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të dielën se deri më tani kishte pasur më shumë se 900 raste të dyshuara në Kongo, ku shpërtheu virusi, ndërsa 202 persona kanë humbur jetën. Raste janë raportuar edhe në Ugandë.