TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është përqendruar sot te Miami, ku pritet të zhvillohet takimi mes negociatorëve amerikanë dhe zyrtarëve rusë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Bisedimet zhvillohen në një moment kur Rusia ka intensifikuar një fushatë pothuajse të pandërprerë sulmesh me dronë dhe raketa ndaj porteve kyçe për tregtinë e jashtme të Ukrainës dhe furnizimet e saj me karburant. Sulmet ajrore janë përshkallëzuar pavarësisht rritjes së përpjekjeve diplomatike të SHBA-së për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund konfliktit.
I dërguari rus për çështje ekonomike, Kirill Dmitriev, njoftoi sot se po udhëton drejt Miamit, ku ka nisur një raund bisedimesh në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila në shkurt hyn në vitin e saj të pestë. Dmitriev pritet të takohet me manjatin e pasurive të paluajtshme dhe diplomatin aktual Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ka deklaruar se mund të marrë gjithashtu pjesë në bisedime.
“Drejt Miamit”, shkroi Dmitriev në rrjetin social X, duke shoqëruar mesazhin me një emoji pëllumbi dhe një video të shkurtër ku shihet dielli i mëngjesit që çan retë mbi një plazh me palma. Ai shtoi se, ndërsa “forcat që nxisin luftën” përpiqen të minojnë planin amerikan të paqes, ky imazh simbolizon “dritën që depërton përmes reve të stuhisë”.
Në Miami kanë mbërritur gjithashtu delegacione ukrainase dhe evropiane, për të marrë pjesë në bisedimet e zhvilluara nga i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner. Megjithatë, burime diplomatike vlerësojnë se është pak e mundshme që Dmitriev të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët ukrainas dhe evropianë, për shkak të tensioneve të larta mes palëve.
Zelensky: SHBA propozoi takim trepalësh në Miami
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se SHBA-ja ka propozuar një takim mes negociatorëve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Miami. “Uashingtoni ka propozuar një format Ukrainë–SHBA–Rusi”, tha Zelensky, duke shtuar se edhe zyrtarë evropianë mund të marrin pjesë dhe se një takim i tillë do të kishte kuptim pas vlerësimit të rezultateve të bisedimeve të deritanishme.
Zelensky theksoi gjithashtu se nuk i takon presidentit rus Vladimir Putin të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, pasi Kremlini kishte lënë të kuptohej se Rusia mund të ndalonte sulmet ditën e zgjedhjeve. “Nuk varet nga Putini të vendosë se kur dhe si do të mbahen zgjedhjet në Ukrainë”, tha ai, duke përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve në territoret nën pushtimin rus.
Takimet SHBA–Ukrainë dhe roli i Evropës
Witkoff dhe Kushner u takuan të premten pranë Miamit me negociatorin ukrainas Rustem Umerov dhe përfaqësues nga Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Pas takimit, Umerov deklaroi se palët ranë dakord “të vazhdojnë punën së bashku në të ardhmen e afërt”.
Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e evropianëve shënon një risi krahasuar me takimet e mëparshme mes SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë, Miami dhe Berlin. Ndërkohë, Marco Rubio theksoi se asnjë marrëveshje nuk do t’i imponohet Ukrainës: “Varet nga palët të arrijnë një marrëveshje. Askush nuk mund të detyrohet”.
Në terren, luftimet vazhdojnë. Sipas autoriteteve ukrainase, një raketë balistike vrau shtatë persona dhe plagosi 15 pranë Odesës. Rusia njoftoi se ka marrë kontrollin e dy fshatrave në rajonet Sumy dhe Donetsk. Nga ana tjetër, Kievi deklaroi se ka shkatërruar dy avionë luftarakë rusë në një aeroport në Krimenë e pushtuar.
Presidenti amerikan ka ushtruar presion mbi Kievin që “të lëvizë shpejt”, ndërsa Zelensky foli për “përparim” drejt një kompromisi me Uashingtonin për një plan që do t’i propozohet Moskës. Megjithatë, ai paralajmëroi se Rusia, sipas tij, po përgatitet për një tjetër “vit lufte” në 2026.
SHBA-ja ka propozuar prej më shumë se një muaji një plan për t’i dhënë fund luftës së nisur në shkurt 2022. Teksti fillestar, i konsideruar nga Kievi dhe evropianët si më i favorshëm për Kremlinin, është ndryshuar pas konsultimeve. Detajet e versionit të ri nuk janë bërë publike, por Zelensky tha se ai përfshin lëshime territoriale nga Ukraina në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi.