TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tulsi Gabbard do të largohet nga posti i saj si Drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së më 30 qershor, pas një periudhe të tensionuar në administratën amerikane dhe përplasjeve të hapura me presidentin Donald Trump.
Në një letër drejtuar presidentit amerikan, Gabbard konfirmoi dorëheqjen duke deklaruar se, megjithëse ishte arritur “progres i rëndësishëm”, mbetej ende shumë punë për t’u bërë.
Sipas agjencisë Reuters, largimi i saj nuk ka qenë vullnetar. Media amerikane, duke cituar burime të afërta me çështjen, raportoi se Shtëpia e Bardhë e ka detyruar Gabbard të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, Fox News ishte televizioni i parë që publikoi lajmin, duke përmendur si një nga arsyet edhe problemet shëndetësore të bashkëshortit të saj, i cili është diagnostikuar me kancer.
Burime të tjera bëjnë me dije se Trump kishte nisur prej javësh diskutimet me anëtarë të kabinetit për zëvendësimin e saj.
Marrëdhënia mes Gabbard dhe presidentit amerikan ishte përkeqësuar ndjeshëm pas qëndrimeve të ndryshme mbi Iranin. Situata u tensionua edhe më shumë kur Trump mbështeti sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe më pas urdhëroi bombardimin e objekteve bërthamore iraniane.
Vendimi i presidentit amerikan binte ndesh me deklaratat e mëparshme të Gabbard në Capitol Hill, ku ajo kishte theksuar se Irani nuk ishte duke ndërtuar armë bërthamore. Trump reagoi publikisht ndaj këtij vlerësimi, duke deklaruar se “nuk i interesonte çfarë thoshte ajo” dhe duke e cilësuar analizën e saj si “të gabuar”.
Largimi i Gabbard shihet si një tjetër zhvillim i rëndësishëm brenda administratës amerikane, në një moment tensionesh të larta në politikën e jashtme të SHBA-së.