TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sekretari i përgjithshëm i qeverisë britanike, Chris Wormald, ka dhënë dorëheqjen, duke u bërë zyrtari i tretë i lartë që largohet brenda pak ditësh nga qeveria e kryeministrit Keir Starmer.
Më herët u larguan edhe Morgan McSweeney, shefi i stafit të Starmer, si dhe Tim Allan, drejtor i komunikimit i kryeministrit. Lëvizjet vijnë në kuadër të një ristrukturimi të stafit qeveritar, në sfondin e skandalit që lidhet me emërimin e Peter Mandelson.
“Jam shumë mirënjohës ndaj Sir Chris për karrierën e tij të gjatë dhe të shquar në shërbimin publik, që shtrihet në më shumë se 35 vite, si dhe për mbështetjen që më ka dhënë gjatë vitit të fundit”, deklaroi Starmer, duke shtuar se kishte rënë dakord me Wormald për dorëheqjen e tij nga posti i sekretarit të kabinetit.
Nga ana e tij, Wormald e cilësoi detyrën si “nder dhe privilegj”, duke falënderuar bashkëpunëtorët. I emëruar në dhjetor 2024, ai qëndroi në detyrë vetëm një vit, duke u bërë një nga sekretarët e përgjithshëm me mandatin më të shkurtër në historinë britanike.
Kryeministri Starmer është përballur me presion edhe nga figura brenda Partisë Laburiste për shkak të vendimit për të emëruar Peter Mandelson ambasador në Shtetet e Bashkuara. Dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë zbuluan lidhje të afërta të Mandelson me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Zhvillimet kanë ngritur pikëpyetje mbi gjykimin politik të Starmer, në një kohë kur popullariteti i tij në sondazhe është në rënie, vetëm 18 muaj pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare në Britani.