TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lideri i opozitës hungareze dhe kandidati për kryeministër të ardhshëm, Péter Magyar, ka dalë mbrëmjen e sotme (12 prill) para mediave në Hungari, duke e cilësuar “ditën e zgjedhjeve historike”, ndërsa falënderoi edhe qytetarët për pjesëmarrjen rekord në votime, mbi 78%.
Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, ai tha se “pjesëmarrja jashtëzakonisht e lartë dhe arrin rreth 6 milionë votues, që tregon rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe vetëdijen e qytetarëve për situatën politike në vend”.
Por shtoi se “do të jem i kujdesshëm” pavarësisht se sondazhet e para e tregonin fitues të zgjedhjeve.
Qindra mbështetës janë mbledhur jashtë ambienteve ku u mbajt deklarata, ndërsa mediat kanë transmetuar drejtpërdrejt fjalimin e tij mes brohoritjeve dhe atmosferës së tensionuar politike.
Lideri i Partia Tisza u shpreh se partia e tij është “optimiste e kujdesshme” për rezultatin dhe theksoi se zgjedhjet janë zhvilluar në një “fushë të pabarabartë loje”, pas 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán.
Magyar falënderoi të gjithë ata që, sipas tij, ndihmuan në luftimin e “mashtrimit zgjedhor”, duke shtuar se të dhënat tregojnë se blerja e votave ka qenë më pak e suksesshme sesa në zgjedhjet e vitit 2018 dhe 2022.
Ai gjithashtu u përgjigj ndaj deklaratave të Fidesz, duke thënë se pretendimet për trazira të dhunshme më vonë gjatë ditës janë “halucinacione” dhe të pabazuara.
Magyar u bëri thirrje mbështetësve të qëndrojnë të qetë, të kenë durim dhe të përgatiten për festime të mundshme më vonë, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme mbi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.