BOTA, 10 Janar 2026, 18:54

Britania e Madhe ofron 200 milionë paund për vendosjen e mundshme të trupave në Ukrainë

Britania e Madhe ofron  200 milionë paund për vendosjen e mundshme

Britania e Madhe do të ndajë 200 milionë paund për të përgatitur forcat e saj të armatosura për një vendosje të mundshme në Ukrainë, nëse do të ketë një armëpushim.

Britania do të lëvrojë 200 milionë paund (230 milionë euro) për të përgatitur forcat e saj të armatosura për mundësinë e vendosjes së tyre në të ardhmen në Ukrainë si pjesë e një force shumëkombëshe, nëse Kievi dhe Rusia bien dakord për një armëpushim, njoftoi ministria e Mbrojtjes e vendit.

Këto para, të cilat do të tërhiqen nga buxheti i mbrojtjes i vitit 2026, do të lejojnë “prokurimin e automjeteve të reja, sistemeve të komunikimit dhe aftësive të mbrojtjes nga dronë, duke siguruar kështu që trupat britanike janë gati për vendosje“, shpjegoi ministria në njoftimin e saj.

Ky njoftim është pjesë e deklaratës së qëllimit të nënshkruar të martën nga Britania dhe Franca, në të cilën të dy vendet deklaruan gatishmërinë e tyre për të vendosur ushtarë për të ruajtur paqen në Ukrainë në rast të një armëpushimi.

Kryeministri britanik Keir Starmer premtoi të sqarojë përmbajtjen e kësaj deklarate “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe siguroi se parlamenti do të thirret për të miratuar çdo vendosje trupash në Ukrainë.

Rusia e kundërshton këtë plan. Të enjten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se çdo prani e forcave ushtarake perëndimore në Ukrainë do të përbënte një “objektiv legjitim” për Moskën.