TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar në Tel Aviv me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, për të diskutuar mbi situatën e luftës mes Izraelit dhe Hamasi, e për t’i shtyrë ata që të mbrojnë më mirë civilët dhe të lejojnë ndihmën më të nevojshme, ndërsa lufta në Gaza po kalon në një fazë të re.
Diplomati amerikan, ka mbërritur në Lindjen e Mesme për të katërtën herë në më shumë se tre muaj, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, mësohet se i tha Sekretarit Blinken “se ushtria e vendit të tij duhet të “përfundojë luftën” me Hamasin, në mënyrë që të sigurojë kthimin e pengjeve izraelite dhe të arrijë sigurinë e popullit”.
Gjatë takimit me Blinken në Tel Aviv, Katz tha gjithashtu se civilët që ishin evakuuar nga qytetet në Izraelin verior për shkak të luftimeve ndërkufitare midis ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve të Hezbollahut në Liban nuk mund të ktheheshin ende në shtëpi.
Katz tha se ishte e rëndësishme të bëhej gjithçka e mundur për të parandaluar një luftë me Hezbollahun, për të cilën ai tha se do të “shkatërronte Libanin”.
Nga ana tjetër, sipas CNN, Blinken tha se kishte mbërritur në Izrael në “një kohë tepër sfiduese” pasi kishte bërë ndalesa në vendet rreth Lindjes së Mesme.
Blinken ka theksuar se “duhet të sigurojmë që 7 tetori të mos ndodhë më kurrë”.
“Unë i di përpjekjet tuaja gjatë shumë viteve për të ndërtuar lidhje dhe integrim shumë më të madh në Lindjen e Mesme dhe mendoj se në fakt ka mundësi reale atje, por ne duhet ta kalojmë këtë moment shumë sfidues dhe të sigurojmë që 7 tetori të mos ndodhë më kurrë.” tha Blinken.
Qëllimi i kësaj vizite vjen pasi janë rritur shqetësimet për përhapjen e luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Sa i përket luftës në Gaza, administrata Biden ka kërkuar të mbajë presion mbi qeverinë e Netanyahut për të frenuar ofensivën e saj dhe për të zvogëluar dëmin ndaj civilëve.