BOTA, 26 Shkurt 2026, 19:14

Bisedimet për programin bërthamor, Irani: Një marrëveshje e menjëhershme me SHBA është e arritshme

Bisedimet për programin bërthamor, Irani: Një marrëveshje e

Ali Shamkhani, një këshilltar i shquar i udhëheqësit suprem të Iranit, ka theksuar se një marrëveshje mund të arrihet nëse negociatat përqendrohen vetëm në angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore.

“Nëse çështja kryesore e negociatave është parandalimi i Iranit nga prodhimi i armëve bërthamore, kjo do të ishte në përputhje me fetvanë (dekretin fetar) të udhëheqësit suprem dhe doktrinën mbrojtëse të Iranit, dhe një marrëveshje e menjëhershme është e arritshme”, postoi ai në X.

Ai shtoi se ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili po udhëheq bisedimet për Teheranin, ka “mbështetje dhe autoritet të mjaftueshëm për të siguruar këtë marrëveshje”.

Kujtojmë që presidenti i SHBA, Donald Trump ka kërcënuar me një sulm të mundshëm nëse Irani nuk dakordësohet për programin bërthamor.

Por, Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se ende ai shpreson në një zgjidhje diplomatike përpara se t’i drejtohet mjeteve të tjera që ai ka në dispozicion.