BOTA, 14 Janar 2026, 21:25

Bisedimet për Groenlandën, ministri i Jashtëm danez: Nuk arritëm të ndryshojmë qëndrimin e SHBA! Situata e sigurisë në Arktik kërkon përgjigje

Bisedimet për Groenlandën, ministri i Jashtëm danez: Nuk

Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda kanë vendosur të krijojnë një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar mundësitë e një bashkëpunimi mbi të ardhmen e Groenlandës, bëri me dije ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen.

Rasmussen tha se diskutimet me zyrtarët amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentin JD Vance, ishin të sinqerta dhe konstruktive, por perspektivat për të ardhmen e ishullit në Arktik mbeten të ndryshme.

Ai shtoi se grupi i punës do të shqyrtojë mënyrat për të siguruar sigurinë afatgjatë në Groenlandë, duke respektuar integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit groenlandez.

“Idetë që nuk do të respektojnë këto linja të kuqe janë krejtësisht të papranueshme,” tha Rasmussen, duke shtuar se mosmarrëveshja themelore nuk pengon dialogun e mëtejshëm. Takimi i parë i grupit pritet të zhvillohet brenda pak javësh.

“Perspektivat tona vazhdojnë të ndryshojnë. Danimarka vazhdon të besojë se siguria afatgjatë e Groenlandës mund të sigurohet brenda kuadrit aktual dhe se Danimarka dhe Groenlanda e konsiderojnë çdo ide që nuk do të respektonte integritetin territorial të Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Grenlandës si krejtësisht të papranueshme. Prandaj, ne ende kemi një mosmarrëveshje themelore”, u shpreh ai.

Ministri danez theksoi se situata e re e sigurisë në Arktik kërkon përgjigje, por shtoi se kjo nuk është përgjegjësi e SHBA-së.

“Tani situata është krejtësisht e ndryshme dhe sigurisht, ne duhet t’i përgjigjemi kësaj . Dallimi i madh është nëse kjo duhet të çojë në një situatë ku SHBA-të të fitojnë Groenlandën, dhe kjo nuk është absolutisht e nevojshme”, shtoi ai.