BOTA, 14 Prill 2026, 20:41

Bisedimet Izrael-Liban/ Ambasadori izraelit: Jemi në të njëjtën anë, drejt një traktati të plotë paqeje

Bisedimet Izrael-Liban/ Ambasadori izraelit: Jemi në të

Ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, deklaroi pas përfundimit të bisedimeve me Libanin se procesi përbën një “fitore për paqen”, duke theksuar progresin e arritur mes palëve.

Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se dialogu ka treguar një afrim të qëndrimeve. “Sot zbuluam se jemi në të njëjtën anë të ekuacionit dhe kjo është gjëja më pozitive që mund të kishim arritur”, tha Leiter.

Sipas tij, gjatë bisedimeve është diskutuar edhe për vendosjen e një kufiri të qartë midis Izraelit dhe Libanit, si një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit.

Ambasadori theksoi se siguria e civilëve izraelitë mbetet e panegociueshme, duke shtuar se kjo është kuptuar edhe nga qeveria e presidentit të Libanit, Joseph Aoun. “Kjo ishte një fitore për mendjen e shëndoshë, për përgjegjësinë dhe për paqen”, u shpreh ai.

Leiter bëri të ditur gjithashtu se puna mes palëve po vijon për arritjen e një traktati të plotë paqeje.