TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Alyona Polyn, emri i vërtetë Elena Sulikova, 45 vjeç, e njohur në Rusi si udhëheqëse e ritualeve magjike pro-Putin, është dënuar me dy vite burg nga një gjykatë në rajonin e Moskës për “nxitje të urrejtjes” dhe “dhunë kundër praktikuesve të feve tradicionale”.
Sipas Prokurorisë së Moskës, arsyeja e rënies së saj në telashe gjyqësore ka qenë libri “Emri im është Polyn”, i prezantuar fillimisht si një vepër “që kërkon ata që i luten Qiellit për lumturi dhe që dëshirojnë të zotërojnë Forcën”.
Polyn u bë e njohur ndërkombëtarisht në vitin 2019, kur mediat e huaja e filmuan gjatë një rituali okultist, e rrethuar nga praktikantë të tjerë të grupit të saj “Perandoria e shtrigave më të forta”. “Ky është një ritual magjik për të përmirësuar cilësinë e jetës në Rusi dhe, natyrisht, për të ndihmuar presidentin Putin”, deklaronte asokohe ajo.
Sipas gjykatës së Ivanteyevkas (Moskë), mes viteve 2020 dhe 2023, Polyn punoi për librin që “synonte nxitjen e urrejtjes, poshtërimin e klerit ortodoks dhe nxitjen e dhunës kundër tyre”. Këto konkluzione u arritën pas një ekspertize të detajuar psikologjike, gjuhësore dhe fetare. Janë shtypur rreth 200 kopje të librit, të cilat më pas u shitën online. Polyn u arrestua në qershor 2024.
Gjatë arrestimit, autoritetet sekuestruan objekte rituale, përfshirë lakuriqë nate të mumifikuar, thika ceremoniale, kafka dhe një altar. Në gjyq, ajo pranoi plotësisht akuzat, sipas Prokurorisë së Moskës. Dënimi i saj daton më shumë se një muaj më parë, megjithëse lajmi është bërë publik së fundmi nga media britanike.
Sipas Novaya Gazeta, fakti që Polyn ka kaluar disa muaj në burg e bën të mundur që ajo të lirohet së shpejti, pasi pjesë e dënimit mund të konsiderohet e vuajtur. Në vitin 2023, BBC e përmendi atë për një tjetër çështje: dyshimet e shërbimeve ukrainase se grupi i saj i shtrigave kishte marrë informacion të ndjeshëm nga Ukraina përmes një spiuni.