BOTA, 4 Mars 2026, 21:17

Bie fuqia ushtarake e regjimit, inteligjenca iraniane i propozon dialog CIA-s

Bie fuqia ushtarake e regjimit, inteligjenca iraniane i propozon dialog CIA-s

Oficerë të Ministrisë iraniane të Inteligjencës janë shprehur të gatshëm të flasin me përfaqësues të CIA-s amerikane në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën gazeta prestigjioze “New York Times”, e cila citon burime zyrtare që kanë folur në kushte anonimati.

Sipas gazetës, oferta për dialog është bërë përmes shërbimeve sekrete të një vendi tjetër, emri i të cilit nuk është bërë publik. Për momentin, as Shtëpia e Bardhë dhe as Agjencia Qendrore e Inteligjencës nuk e kanë komentuar lajmin.

Të martën, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara i përjashtoi negociatat me Uashingtonin, për shkak të vrasjes së liderit suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei.

Edhe presidenti Donald Trump tha përmes një postimi se zyrtarë të regjimit të Teheranit kishin dashur të flisnin me administratën e tij, por ai u kishte thënë se ishte shumë vonë për të biseduar.

Të mërkurën, Garda Revolucionare deklaroi se është e përgatitur për të shkatërruar tërësisht infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të të gjithë Lindjes së Mesme.

“Dinakëria dhe mashtrimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara do të shoqërohet me koston e shkatërrimit total të infrastrukturës ushtarake dhe ekonomike të rajonit”, u tha në një deklaratë zyrtare.

Por numri i raketave balistike të qëlluara nga forcat e armatosura të regjimit ka rënë me 86 për qind që prej ditës së parë të konfliktit.

Deklarata është bërë nga komandanti i ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, i cili ka nënvizuar se edhe numri i dronëve të lëshuar nga Republika Islamike ka rënë.

“Sulmet iraniane me raketa balistike kanë rënë me 86 për qind që nga dita e parë e luftimeve, me një rënie prej 23 për qind të regjistruar vetëm në 24 orët e fundit”, ka thënë Caine.

Në konferencën për shtyp të mbajtur pasditen e së mërkurës, gjenerali ka shtuar se, fuqia e dronëve të përdorur për kundërsulme ka rënë gjithashtu me 73 për qind.