BOTA, 23 Shkurt 2026, 14:22

BE “ngrin” ratifikimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-të, kërkon sqarime nga administrata amerikane për tarifat e reja të Trump

BE “ngrin” ratifikimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-të,

Bashkimi Evropian po përgatitet të pezullojë procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare me SHBA, duke kërkuar sqarime shtesë nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me vendimin e ri të tarifave doganore.

Grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian kanë bërë të ditur se do të ndalin procedurën legjislative për miratimin e marrëveshjes. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Supreme e SHBA rrëzoi përdorimin e ligjit për kompetenca emergjente nga Trump për vendosjen e të ashtuquajturave tarifa “reciproke” në nivel global.

Pas publikimit të lajmit, tregjet evropiane reaguan negativisht, me indeksin Stoxx Europe 600 që shënoi rënie prej 0,4%.

Zeliana Zovko, negociatore kryesore për tregtinë nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (PPE), deklaroi se “nuk ka zgjidhje tjetër” përveçse të vonohet procesi derisa të ketë qartësi të plotë. EPP, forca më e madhe politike në Parlament, pritet të mbështetet nga Socialistët dhe Demokratët si dhe nga grupi liberal Renew.

Mbledhje urgjente dhe kontakte diplomatike

Kryetari i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlament, Bernd Lange, ka thirrur një mbledhje urgjente për të rivlerësuar marrëveshjen BE–SHBA. Paralelisht, ambasadorët e BE-së do të takohen për të shqyrtuar në tërësi marrëdhënien tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi i Trump, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, për vendosjen e një tarife globale prej 10%, e cila më pas u rrit në 15%, ka lënë shumë pikëpyetje për partnerët tregtarë të SHBA-ve, duke shtuar pasigurinë në tregjet financiare.

Marrëveshja e arritur verën e kaluar mes Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, parashikonte një tarifë 15% për shumicën e produkteve evropiane që eksportohen në SHBA, ndërsa BE do të hiqte tarifat për mallrat industriale amerikane që importohen në tregun evropian. Megjithatë, SHBA do të ruante një tarifë 50% për çelikun dhe aluminin evropian.

BE-ja e kishte pranuar marrëveshjen, pavarësisht karakterit të saj të pabarabartë, për të shmangur një luftë të gjerë tregtare dhe për të ruajtur mbështetjen amerikane në çështje sigurie, veçanërisht në lidhje me Ukrainën.

“Ngrirja” e dytë e procesit

Kjo nuk është hera e parë që procesi i ratifikimit pezullohet. Parlamenti Evropian kishte ndalur miratimin edhe kur Trump kishte kërcënuar me aneksimin e Groenlandës. Edhe pse procedura rifilloi pas tërheqjes së tij, eurodeputetët përfshinë amendamente shtesë, si një klauzolë përfundimi (sunset clause), e cila parashikon rinegocim edhe pas një miratimi të mundshëm të marrëveshjes.