BOTA, 16 Maj 2026, 11:37

BBC: Zvicra hap dosjet sekrete për Josef Mengele, nazistin famëkeq të Aushvicit

BBC: Zvicra hap dosjet sekrete për Josef Mengele, nazistin famëkeq

Josef Mengele, i njohur si “Engjëlli i vdekjes” i kampit të Aushvicit, mund të ketë qëndruar fshehurazi në Zvicër edhe pas shpalljes së urdhërarrestit ndërkombëtar ndaj tij, raportoi BBC.

Shërbimi Federal i Inteligjencës i Zvicrës ka njoftuar se do të hapë dosjet sekrete për nazistin famëkeq, të mbyllura prej dekadash, por pa përcaktuar ende një datë.

Historianët kanë kërkuar prej vitesh qasje në këto dokumente, pasi dyshohet se Mengele mund të jetë rikthyer në Zvicër në vitin 1961, ndërsa ishte në arrati.

Dokumente të zbuluara nga studiuesja Regula Bochsler tregojnë se shërbimet austriake kishin paralajmëruar autoritetet zvicerane se ai mund të ndodhej në territorin e vendit me identitet të rremë.

Dyshimet u shtuan pasi bashkëshortja e tij kishte marrë me qira një apartament pranë aeroportit në Zyrih, i cili u vu nën mbikëqyrje nga policia.

Megjithatë, nuk është provuar kurrë nëse burri i panjohur që shoqëronte gruan e tij ishte vetë Mengele.

Dosjet ishin vulosur deri në vitin 2071 me arsyetimin e “sigurisë kombëtare”, por pas një beteje ligjore nga historiani Gérard Wettstein, autoritetet pranuan t’i hapin ato, edhe pse studiuesit druhen se dokumentet mund të dalin të censuruara.

Mengele, ish-mjek i SS-së naziste, kreu eksperimente çnjerëzore te të burgosurit, veçanërisht te fëmijët dhe binjakët, ndërsa përzgjidhte viktimat për dhomat e gazit në Aushvic.

Pas luftës ai u arratis në Amerikën Jugore me dokumente të Kryqit të Kuq dhe jetoi atje deri në vdekjen e tij në Brazil në vitin 1979.

ADN-ja konfirmoi identitetin e trupit vetëm në vitin 1992.