BOTA, 13 Nëntor 2025, 14:17

Bashkimi Evropian shqyrton përdorimin e 140 miliardë eurove nga asetet ruse të ngrira për të ndihmuar Ukrainën

Bashkimi Evropian shqyrton përdorimin e 140 miliardë eurove nga asetet

Ministrat e Financave të BE-së janë mbledhur në Bruksel të enjten për të diskutuar agjendën ekonomike dhe financiare të bllokut, duke përfshirë çështjen gjithnjë e më urgjente të financimit për Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një intervistë për Bloomberg, të publikuar të enjten se mbijetesa e vendit varet nga marrja e më shumë fondeve nga aleatët.

“Shpresoj, Zoti e bëftë, që ta kemi këtë vendim”, i ka thënë ai televizionit Bloomberg.

Nëse jo, “Do të duhet të gjejmë një alternativë, është çështje e mbijetesës sonë. Kjo është arsyeja pse kemi shumë nevojë për të. Dhe unë mbështetem te partnerët”, ka shtuar ai.

Komisioni Evropian shpreson të bindë shtetet anëtare dhe Belgjikën në veçanti, ndërsa vazhdon të bllokojë propozimin për shkak të frikës ligjore, që të vazhdojnë me një kredi dëmshpërblimi  prej 140 miliardë eurosh bazuar në asetet e ngrira ruse.