TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazeta britanike “The Guardian” raporton se NATO po mban takime të mbyllura me skenaristë, regjisorë dhe producentë filmash dhe televizionesh në Evropë dhe SHBA, një zhvillim që po ngjall reagime në lidhje me mundësinë që aleanca po përpiqet të përdorë artet për të krijuar “propagandë” në favor të saj.
Aleanca ka mbajtur tashmë tre takime të tilla në Los Angeles, Bruksel dhe Paris, dhe planifikon të vazhdojë serinë e diskutimeve private muajin e ardhshëm në Londër, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Britanisë së Madhe (WGGB), e cila përfaqëson shkrimtarët profesionistë në Mbretërinë e Bashkuar. Takimi i ardhshëm në Londër ka shkaktuar reagime nga disa prej të ftuarve, të cilët besojnë se po u kërkohet të “kontribojnë në propagandën pro-NATO”.
Diskutimi, i cili do të mbahet sipas rregullores së Chatham House, domethënë me mundësinë e përdorimit të informacionit, por pa zbuluar pjesëmarrësit, do të përqendrohet në “sigurinë në Evropë dhe më gjerë”. Ish zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai, tani zëvendësndihmës sekretar i përgjithshëm për kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe teknologjitë e reja, pritet të marrë pjesë në këto diskutime, së bashku me zyrtarë të tjerë të aleancës.
Në një email nga WGGB të parë nga gazeta britanike, raportohet se këto takime kanë rezultuar tashmë në “tre projekte të ndara” në zhvillim e sipër, disa prej të cilave “dolën nga këto diskutime”. I njëjti mesazh vëren se NATO “u ndërtua mbi besimin se bashkëpunimi dhe kompromisi, kultivimi i marrëdhënieve miqësore dhe aleancave, është rruga përpara”.
Alan O’Gorman, skenaristi i filmit Christy, i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë në Çmimet Irlandeze të Filmit dhe Televizionit 2026, e quajti takimin e planifikuar “të skandaloz” dhe “qartësisht propagandë”. Ai mendon se takimet janë një përpjekje e NATO-s për të “përçuar disa nga mesazhet e saj në filma dhe televizion”.
O’Gorman tha se skenaristët e tjerë të ftuar në takim ishin “mjaft të ofenduar që arti do të përdorej në një mënyrë që mbështeste luftën” dhe mendonin se po u kërkohej të “kontribuonin në propagandën për NATO-n”.
Megjithatë, mbështetësit e NATO-s herë pas here kanë avokuar për bashkëpunim më të ngushtë me sektorin kulturor. Një raport i këtij viti nga organizata Qendra për Reformën Evropiane u bëri thirrje qeverive të angazhohen me institucionet kulturore në mënyrë që të forcojnë mbështetjen publike për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të “tregojnë më mirë” nevojën për investime të tilla.
Vlen të përmendet se kjo nuk është hera e parë që NATO ka zhvilluar takime me njerëz nga industria e argëtimit. Në vitin 2024, tetë skenaristë, përfshirë krijuesin dhe producentin ekzekutiv të serialit “Friends”, vizituan selinë e NATO-s në Bruksel, me ftesë të Qendrës Amerikane për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, për t’u informuar mbi çështjet e sigurisë. Atje, ata u takuan edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të aleancës, Jens Stoltenberg. /The Guardian