TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Njëmbëdhjetë oficerë policie janë arrestuar në Portugali me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore.
“Dhjetë anëtarët e Gardës Kombëtare (GNR) dhe një oficer nga policia bashkiake (PSP) akuzohen për pjesëmarrje në një sistem në shkallë të gjerë të shfrytëzimit të punonjësve emigrantë të paligjshëm në bujqësi”, njoftuan sot Departamenti i Hetimit Penal (PJ) dhe Garda Republikane Kombëtare (GNR) në Lisbonë.
Organizata kriminale e dhunshme, e ngjashme me mafian, u shkatërrua pas disa muajsh hetimesh dhe disa bastisjesh gjatë ditëve të fundit.
Megjithatë, kreu i dyshuar i rrjetit – një shtetas indian – i shpëtoi kapjes dhe është në arrati.
Hetuesit thanë se banda mbante në kushte skllavërie, qindra emigrantë kryesisht të paligjshëm në bizneset bujqësore në rajonet në Beja, Portalegre, Figueira da Foz dhe Porto.
Viktimat shpesh rriheshin dhe detyroheshin të punonin pa ndërprerje në fusha nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit nën kërcënimin e dhunës.
Sipas deklaratës së PJ-së, viktimat ishin vendosur në strehime të improvizuara, shpesh në ndërtesa të rrënuara. Ata duhej të paguanin për dyshekët e ofruar, për ushqimin dhe pijet. Të gjitha dokumentet e tyre u morën.
Gjithsej 17 persona u arrestuan. Ata do të paraqiten nesër para gjyqtarit hetues në Lisbonë.
Përveç trafikimit të qenieve njerëzore, ata akuzohen për ndihmë dhe nxitje të emigracionit të paligjshëm, falsifikim dokumentesh, mashtrim tatimor, pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Emigrantët e liruar u dërguan në bazën e forcave ajrore në Beja, ku së shpejti do të merren në pyetje.
Hetuesit thonë se ekziston gjithashtu rreziku që disa të refuzojnë të dëshmojnë nga frika e hakmarrjes ndaj të afërmve në vendet e tyre të origjinës.