TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel u nderua sot nga Parlamenti Evropian me Urdhrin Evropian të Meritës, në vlerësim të angazhimit të saj shumëvjeçar për Bashkimin Evropian.
Merkel është mes 20 personaliteteve të para që marrin këtë dekoratë, e krijuar vitin e kaluar.
Ajo u pranua si anëtare e shquar e urdhrit, niveli më i lartë nga tre kategoritë ekzistuese, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ish-presidentin polak Lech Walesa.
Walesa mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Strasbourg, ndërsa Zelensky mungoi.
Në fjalimin e saj, Merkel paralajmëroi eurodeputetët se demokracia po përballet me presione në rritje.
Ajo bëri thirrje që demokracia, paqja dhe mirëqenia të mbeten një premtim i qëndrueshëm për qytetarët e Bashkimit Evropian.
Merkel theksoi gjithashtu rrezikun që, sipas saj, paraqesin rrjetet sociale për demokracinë, “ku papritur faktet nuk janë më fakte”, duke shtuar se kjo vë në rrezik themelet e Iluminizmit.
Gjatë mandatit të saj si kancelare e Gjermanisë nga viti 2005 deri në vitin 2021, Merkel u bë e njohur si menaxherja e krizave të Evropës.
Gjashtëmbëdhjetë vitet e saj në pushtet përfshinë periudhën e recesionit të madh global, krizën e euros, krizën e refugjatëve të vitit 2015, Brexit dhe pandeminë e koronavirusit.
Çmime të tjera iu akorduan kryesisht ish-udhëheqësve të vendeve të BE-së dhe institucioneve si Banka Qëndrore Evropiane dhe NATO.
Mes të nderuarve ishin edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, sportit, fesë dhe muzikës, përfshirë grupin rok U2, me vokalistin Bono.
“Evropa nuk na është dhuruar”, tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
“Ajo është ndërtuar traktat pas traktati, krizë pas krize dhe nga njerëz që zgjodhën solidaritetin në vend të përçarjes dhe bashkëpunimin në vend të interesit vetjak”, shtoi ajo.