BOTA, 17 Shkurt 2026, 18:55

Alarm për ushqimet e foshnjave! Shtatë në 10 produkte në SHBA përmbajnë aditivë dhe janë ultra të procesuara

Alarm për ushqimet e foshnjave! Shtatë në 10 produkte në

Shumica dërrmuese e ushqimeve, pijeve dhe vakteve të lehta për foshnja të moshës 6 deri në 36 muaj, të shitura në SHBA, janë ultra të procesuara dhe mund të përmbajnë aditivë që lidhen gjithnjë e më shumë me rreziqe të mundshme për shëndetin, sipas një studimi të ri, sipas “Nutrients”.

Mbi 70% e 651 produkteve të analizuara për studimin – përmbanin aditivë – që kërkimet e fundit i lidhin me “inflamacion dhe çrregullime të mikrobiomës së zorrëve”, tha autorja kryesore e studimit, Elizabeth Dunford, pedagoge e jashtme e ushqyerjes në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill dhe konsulente në organizatën “The George Institute for Global Health”.

“Ajo që më tronditi ishte se përbërësi kryesor në 71% të këtyre ushqimeve për foshnja nuk ishte frut apo perime, por një ose më shumë aditivë”, theksoi Dunford.

Sipas saj, sistemi tretës i foshnjave nuk është plotësisht i zhvilluar për të përballuar aditivët në të njëjtën mënyrë si një i rritur.

“Nuk ka asnjë nevojë për këta aditivë. Ato janë thjesht kozmetike, të dizajnuara për ta bërë ushqimin të duket më tërheqës”, shtoi ajo.

Emrat dhe markat e produkteve nuk u bënë publikë në studimin e botuar në revistën shkencore “Nutrients”.

Një pjesë e konsiderueshme e ushqimeve të analizuara u klasifikuan si ushqime ultra të procesuara (UPF), përfshirë biskota me formë kafshësh, snack-e krokante dhe kos të ëmbëlsuar.

Sipas ekspertëve, këto produkte janë të dizajnuara për të qenë tepër të shijshme, duke e bërë të vështirë “të ndalesh me vetëm një prej tyre”.

Një raport i fundit i paraqitur nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregoi se rreth 62% e ushqimeve, që konsumojnë fëmijët amerikanë janë ultra të procesuara.

Duke qenë se preferencat ushqimore formohen në vitet e para të jetës, gjetjet konsiderohen shqetësuese nga ekspertët e shëndetit publik.

“Foshnjat që ekspozohen ndaj ushqimeve ultra të procesuara mësojnë të preferojnë sheqerin dhe aromat artificiale në vend të ushqimeve natyrale dhe të pasura me lëndë ushqyese”, tha Jane Houlihan, drejtoreshë kërkimore në organizatën “Healthy Babies, Bright Futures”.

“Kompanitë e ushqimeve për foshnja duhet ta bëjnë më të lehtë, jo më të vështirë, zgjedhjen e alternativave të shëndetshme”, tha ajo.

Studime të tjera kanë treguar se rritja me vetëm 10% e kalorive ditore nga ushqimet ultra të procesuara mund të shoqërohet me 50% rrezik më të lartë për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare, 55% më shumë gjasa për obezitet dhe 40% rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit të Tipit 2.

Nga ana tjetër, Shoqata e Markave të Konsumit, që përfaqëson prodhuesit e ushqimeve për foshnja, deklaroi se aktualisht, nuk ekzistonte një përkufizim shkencor i dakordësuar për ushqimet ultra të procesuara.

Sipas saj, prodhuesit respektojnë standardet e sigurisë dhe politikat ushqimore të vendosura nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), për të garantuar produkte të sigurta dhe të përballueshme për familjet.