BOTA, 13 Janar 2024, 18:01

Akuzua për vrasje dhe tortura në Argjentinë, Italia refuzon ekstradimin e priftit

Akuzua për vrasje dhe tortura në Argjentinë, Italia refuzon

Ministria italiane e drejtësisë ka refuzuar kërkesën e Argjentinës për ekstradimin e një prifti të akuzuar për krime kundër njerëzimit, që kishte qenë pjesë e ushtrisë së Argjentinës gjatë viteve 1976-1983. 

Reverend Franco Reverberi akuzohet për krime kundër njerëzimit gjatë diktaturës ushtarake të viteve 1970-të e 1980-të. Ai kishte shërbyer si prift i ushtrisë gjatë regjimit ushtarak në Argjentinë, por akuzohet se është përfshirë në vrasje e tortura, si dhe eliminimin e aktivistit politik, 20-vjeçarit José Guillermo Berón në vitin 1976. Reverberi, i cili ka qytetari të dyfishtë italiane e argjentinase, është larguar nga Argjentinë në 2011 kur nisën gjyqet ndaj ish-anëtarëve të juntës, dhe u kthye në shtëpinë e tij në Parma. Prej atëherë ai ka jetuar i qetë në Itali, ku vijonte të punonte si prift, deri pak kohë më parë.

Ai i mohon akuzat dhe nuk është dënuar nga asnjë gjykatë apo të përjashtohet nga Vatikani, shkruan The Guardian. Gjykata e lartë italiane kishte konfirmuar ekstradimin e tij në tetor, duke refuzuar kërkesat e priftit. Por dje ministri i drejtësisë Carlo Nordio, ndaloi ekstradimin me arsye “moshën dhe gjendjen shëndetësore” të Reverberi. Jorge Ithurburu, kreu i organizatës ‘24 Marzo’ – një OJQ në Romë që përfaqëson të afërmit e viktimave të diktaturës argjentinase, bënte thirrje për gjykim të Reverberi në Itali.

Pas grushtit të shtetit në 1976, ushtria e Argjentinës shtypte çdo opozitë të mundshme dhe rrjedhimisht vrau rreth 30,000 njerëz në vend, shumica e të cilëve civilë të paarmatosur. Në 1985, dy vjet pas kthimit te demokracia, kreu i juntës Jorge Videla u dënua për abuzime dhe krime kundër njerëzimit. Por shumë kriminelë që ishin pjesë e regjimit u larguan drejt Italisë duke përfituar nga origjina italiane dhe qytetaria e dyfishtë.