BOTA, 18 Mars 2026, 16:49

Aksident tragjik në Zvicër, rrëzohet teleferiku në Engelberg, humb jetën një person

Aksident tragjik në Zvicër, rrëzohet teleferiku në

Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qendrën turistike të skive Engelberg në Zvicër, ku një teleferik është rrëzuar, duke shkaktuar vdekjen e një personi. Sipas informacioneve paraprake, kabina e linjës Trübsee–Stand Xpress u shkëput pak pas stacionit të mesëm dhe filloi të rrokullisej në një shpat me dëborë, duke u përmbysur disa herë.

Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se në momentin e aksidentit kushtet atmosferike ishin të rënduara, me erëra shumë të forta. “Në një moment u dëgjua një këputje, kabulli u zhvendos dhe kabina ra”, tregoi një prej tyre. Sipas të dhënave, në zonë janë regjistruar erëra që arrinin deri në 130 km/orë, ndërsa shërbimi meteorologjik MeteoSwiss kishte lëshuar më herët një paralajmërim për rrezik të moderuar nga era.

Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë dhe u përpoqën për rreth 30 minuta të mbanin në jetë të plagosurin, por pa sukses. Policia konfirmoi se aksidenti ka shkaktuar një viktimë, identiteti i së cilës nuk është bërë ende publik.

Kompania që operon teleferikët konfirmoi incidentin, por nuk dha detaje mbi numrin e pasagjerëve në kabinë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit dhe për të kuptuar pse teleferiku ishte në funksion pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Pas ngjarjes, pothuajse të gjithë ashensorët në zonën e skive Titlis janë pezulluar. Teleferiku Titlis Xpress, i përuruar në vitin 2015 dhe me kapacitet prej tetë pasagjerësh, është aktualisht i mbyllur për shkak të erërave të forta. Qendra e skive Titlis, një nga më të mëdhatë në Zvicrën Qendrore, ofron rreth 82 kilometra pista dhe arrin në një lartësi prej rreth 2,400 metrash.