TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Politikat që unë përfaqësoj janë politika që përfaqësohen nga Trump dhe Putin”. Kështu u shpreh Marine Le Pen në vitin 2017. Pas 2 javësh, ajo mund të zgjidhet presidente e Francës. Le Pen, drejtuese e së djathtës ekstreme, ka kaluar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballet sërish me presidentin Emmanuel Macron.
Raundi i parë i votimit e pozicionoi Le Pen 5 për qind pas Macron. Fakti që 57 për qind e votuesve francezë zgjodhën kandidatët e së majtës apo së djathtës ekstreme në raundin e parë – ndërsa partitë tradicionale të qendrës u poshtëruan sërish – shihet si një ogur i keq për një president centrist, siç është Macron.
Sondazhi i parë lidhur me raundin e dytë, tregon se Macron mund ta mundë Le Pen me rezultatin 54 përkundrejt 46 për qind. Kjo mund do ta forcojë pikëpamjen se një fitore e Le Pen mbetet gati e pamundur. Por realiteti i sikletshëm është se e djathta ekstreme po arrin nivele konsensusi të paprecedenta në historinë e Francës së pas vitit 1945.
Dhe gjatë fushatës 2-javore mund të ndodhin shumë gjëra. Ndaj në vend se të hidhen poshtë shanset e Le Pen, është koha të mendohet seriozisht se çfarë do të nënkuptonte fitorja e saj e mundshme për Francën dhe më gjerë. A është ajo ende një politikane “e ekstremit të djathtë”? Apo një presidencë e Le Pen, mund të jetë më pak tronditëse për sistemin sesa e imagjinojnë shumë njerëz?
Fakti që Le Pen është kaq afër presidencës, është dëshmi e suksesit në “detoksifikimin” e imazhit të saj. Ajo u nda disa vite më parë me babanë e saj dhe themeluesin e partisë, Jean-Marie Le Pen, që kishte një histori të gjatë të racizmit. Në këto zgjedhje, Marine Le Pen ka bërë fushatë kryesisht mbi çështjet e kostos së jetesës.
Ajo ka hequr dorë nga politikat më të diskutueshme që sollën humbjen e saj në vitin 2017, si thirrja që Franca të largohet nga eurozona, apo edhe rivendosjen e dënimit me vdekje. Po ashtu, ajo e ka përdorur luftën në Ukrainë për t’u distancuar nga Vladimir Putin, duke pretenduar se ka “ndryshuar” pikëpamja e saj për liderin rus.
Por admirimi i saj i dikurshëm për Putin dhe Donald Trump, është ende i dukshëm. Ashtu si ata, edhe Le Pen pretendon se përfaqëson popullin kundër elitës, dhe kombin kundër “globalistëve”. Slogani i saj në këtë fushatë “Kthejuni francezëve vendin e tyre”, i bën jehonë sloganit “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” të Trump, dhe “Merrni sërish kontrollin e vendit tuaj” të mbështetësve së Brexit.
Programi i Le Pen përmban ende politika të së djathtës ekstreme. Premtimi i saj për të vendosur një ndalim të plotë të mbajtjes së shamive nga gratë myslimane në publik, është krejtësisht jo-liberal dhe do të ishte i paprecedentë në Evropë. Le Pen thotë se policia do të udhëzohej të vendoste gjoba për të gjitha gratë që mbajnë hixhab.
Por marrëdhëniet ndërmjet policisë dhe komuniteteve jo të bardha apo myslimane, tashmë të tensionuara, ka të ngjarë që të përkeqësohen më tej. E majta franceze, gjithmonë e prirur për protesta, do të dilte në rrugë nëse do të fitonte Le Pen. Franca i ka ende të freskëta pasojat e protestave të “Jelek–verdhëve” në vitet 2018-2019, dhe mund të përballet sërish me trazira sociale.
Në anën tjetër të spektrit, një fitore e Lë Pen mund të tronditë tregjet financiare, duke e forcuar ndjenjën e krizës. Një Francë shumë e polarizuar, do të shkaktonte pasoja negative në mbarë Evropën. Edhe për BE-në pasojat do të ishin të rënda, madje ekzistenciale.
Shtetarët francezë si Jean Monnet, Robert Schuman dhe Jacques Delors ishin dikur figurat kyçe të projektit evropian. Por Le Pen synon shkatërrimin e BE-së. Ajo premton të rivendosë përparësinë e ligjeve franceze ndaj ligjeve të BE-së, gjë që është e papajtueshëm me anëtarësimin në unionin 27-vendesh.
Po ashtu ajo zotohet të reduktojë në mënyrë të njëanshme kontributet e Francës në buxhetin e BE-së. Brenda Evropës, Le Pen ka kultivuar lidhje me “demokratët jo-liberalë” në Hungari dhe Poloni. Ajo nxitoi të uronte Victor Orban për fitoren e tij në fillim të këtij muaji, pavarësisht se ky i fundit akuzohet nga BE për shkeljen e sundimit të ligjit, shtypjen e lirisë së medias dhe korrupsion.
Në rastin më të mirë, Le Pen nuk shqetësohet për mëkatet e Orban. Në rastin më të keq, ajo e sheh atë si një model për Francën. Me Le Pen në krye të Francës, do dukej më i besueshëm pretendimi i Orban se nacionalizmi i tij jo–liberal përfaqëson të ardhmen e Evropës.
Matteo Salvini në Itali – që ashtu si Le Pen ka si model Putinin dhe Trumpin – do të afrohej më pranë pushtetit. Reagimet në Bruksel dhe Berlin ndaj një fitoreje të Le Pen do të ishin të llahtarshme, të pasuara ndoshta nga negociatat. Në pamundësi për ta braktisur projektin e BE-së, partnerët e Francës do të synonin t’i bënin disi të pajtueshme me anëtarësimin në BE politikat ekstremiste të Le Pen.
Por ajo nuk është vetëm një armike e BE-së. Le Pen e ka quajtur NATO-n një “organizatëluftënxitëse”, dhe është zotuar ta nxjerrë Francën nga struktura e saj komanduese. Po ashtu ajo kundërshton sanksionet ndaj Rusisë në fushën energjetike, me pretendimin se ato do të rrisnin koston e jetesës në Francë. Putini ka përjetuar së fundmi disa javë katastrofike. Por votuesit e Francës mund t’i ofrojnë ende një fare shprese./“Financial Times”-Përktheu Bota.al