BLOG, 9 Maj 2026, 17:35

Europa duhet ta paraqesë veten si Neoeuropë

Europa duhet ta paraqesë veten si Neoeuropë

Sot, në Ditën e Europës

Një popull mundet ta përqafojë një ideologji vetëm atëherë kur ajo i jep shpresë për zhvillim dhe siguri kolektive. E sot Shqipëria nuk ka ideologji ma të afërt e të mbarë sesa Europën.

Shoqëritë që ecin përpara janë ato shoqëri që dinë të përshtaten me kohën dhe të prekin vizione të reja për të ardhmen, pa e humbur kurrë boshtin e vlerave të veta të idenitetit kulturor. Janë shoqëritë që dinë që ta rishpikin veten përmes raportit me tjetrin, pa u tretur në tjetrin. Dhe Europa ka kenë pikërisht kjo bashkësi e madhe kulturash, gjuhësh e historish të ndryshme, identitetesh, lokalitetesh, që njëkohësisht edhe ka bërë të mundurën integrimin e tyre, por edhe ka përforcuar mëvetësinë e secilit syresh.

Ajo është një bashkësi që në pamje të parë duket sikur ngërthen një kundërthënie brenda vetes, por e parë në miniaturë s’mundet të ketë gjenialitet më të madh në historinë e njerëzimit sesa mënyra sesi është kompozuar një kolektivitet i tillë “identitetesh të ndryshëm”, një kontratë kaq e mrekullueshme mes të ndryshmëve që e kthen dallimin në bashkëjetesë dhe historinë në projekt të përbashkët.

Sot, në një kohë kur lufta dhe pasiguria janë rikthyer sërish në kontinent, asnjë shtet i vogël nuk mundet të mendojë se e përballon i vetëm sfidën e së ardhmes. Jashtë Europës, shtetet tona rrezikojnë të mbeten të ekspozuar, të copëzuar ekonomikisht e politikisht, rrezikojnë të mbeten gjysma-shtete, si nukleuse të izoluar përballë krizave globale. Ndërsa Europa mbetet hapësira ku shtetet e vogla fitojnë peshë, siguri dhe mundësi reale që të bëhen të plota, pra mundësi për të gjetur veten.

Por edhe vetë Europa duhet të rishpiket. Ajo nuk mundet të mbetet një ide e mbyllur në vetvete. Europa ka nevojë të rieuropianizohet, ta paraqesë veten si një Neoeuropë, përmes zgjerimit, përmes integrimit të kombeve që historikisht dhe shpirtërisht i përkasin asaj. Integrimi i Shqipërisë nuk është vetëm nevojë e jona; është edhe nevojë e vetë Europës për të ripërtëritur energjinë e saj politike.

Prandaj, rruga europiane për Shqipërinë nuk duhet të shihet veç si proces administrativ apo politik. Ajo është një zgjedhje qytetare dhe historike. Është zgjedhja për t’i dhanë këtij vendi më shumë siguri, më shumë drejtësi, më shumë dinjitet dhe më shumë mundësi për brezat që vijnë.

Europa është një mënyrë e menduar të ardhmen. Është e ardhmja që shoqëria e shtetit tonë i duhet ta prekë.