TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
AV. ALFDRED DUKA
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Arqipeshkëvi Prenushi e kishte biseduar me priftin misionar italian Santi dhe pas asaj bisede, kishte konstatuar se Dom Shtjefni kishte mbajtur vetëm marrëdhënie zyrtare me të, ndërkohë që i shpreh drejtpërdrejt mendimin e tij për afrim shpirtëror ndërmjet klerikëve të Arqipeshkëvisë, siç i’a kërkonte dhe detyra që mbante.
Në letrën Nr. 74/42 dt. 20-1-1942, Imzot Prenushi i përgjigjet famullitarit Kurti, me një ton tepër zbutës dhe disi justifikues: “… Paçë rasë me folë me P. Santin e, xuna n’gojë ankimin qi ti m’pate ba me letër t’sypërshenjueme. Prej zhvillimit qi mora, mu duk se kjo punë kishte mujtë me u ndreq, tuj e bisedue çështjen ndërmjet vedi, masi edhe ti vetë shkon aq mirë me P.Santin, punë kjo që na gëzon edhe fort, pse nuk më kande qi, deri ku mund të bahet, të rrinë në arkiv akte ankimesh kundra njani-tjetrit….”!
Dom Shtjefni i kishte djegur etapat dhe nuk kishte biseduar me misionarin italian, sepse, siç duket nuk e kishte synim parësor harmoninë me italianët, qofshin edhe klerikë, por zbatimin e rregullave. Nuk ishte hera e parë që klerikët dhe murgeshat me kombësi italiane, kërkonin të manifestonin pavarësi nga famullitarët shqiptarë. Ftohtësia dhe pedantizmi i Dom Kurtit kishte bërë, që klerikët italianë të përpiqeshin ta shmangin. Kështu, me ndërhyrjen e klerikëve italianë të Etërve Jezuitë, Dom Shtjefën Kurti nuk përfshihet në protokollin e ceremonisë për ditëlindjen e Mbretit të Italisë dhe “Te Deum” zyrtar i katolikëve të Tiranës, që ishte mbajtur në kishën private të Etërve Jezuitë, pa asnjë dije dhe pëlqim të tij, ndërkohë që duhet të pyetej dhe ajo ceremoni të kryhej me pëlqimin e tij. Kurti proteston ndaj përjashtimit të tij, duke theksuar se ky veprim shkakton “hidhnim, përçarje e shkandull”. Por, duke i kuptuar mirë labirintet e politikës dhe sekretet e saj, nuk u drejtohet autoriteteve italiane dhe as Nuncit Apostolik, por Kryeministrit shqiptar:
I parashtrojmë Asaj P.T. Kryeministri, ankimin tonë se shumë bërë ndër rasa të ndryshme kremtimesh, nuk qe thirr përfaqësim prej Klerit Katolik. Kjo punë ven Komunitetin tonë në nji shkallë më të ulët se Komunitetet e tjera dhe mundet me u interpretue keq pranë Autoriteteve.
I lutem prandaj asaj P.T.Kryeministri, me pasë mirësinë me u interesue pranë kujë lypet qi këto ngjarje mos të vërtetohet ma.
Tiranë, 29 Nanduer 1939
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Mesa duket, ky anashkalim kishte bërë përshtypje në qarqet shqiptare, të cilët u treguan të vëmendshëm ndaj tij, me apo pa ndërhyrjen e Kryeministrit. Nënkryetari i Bashkisë, Ali Erebara i kishte shkruar edhe në lidhje me një incident që i kishte ndodhur Dom Shtjefnit, me ardhjen e Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit, kur turma e kureshtarëve i kishte zënë rrugën dhe ai nuk kishte mundur ta ndjekë normalisht veprimtarinë.
Edhe pas kapitullimit të Italisë, praktika e ndjekur nga administrata nën pushtimin gjerman nuk ndryshonte shumë nga ajo nën pushtimin italian, sepse shumica e zyrtarëve ishin po ata. Në disa raste, autoritetet shtetërore e përfshinin Famullinë e Tiranës, në programin e festave dhe në disa raste, e anashkalonin. Me rastin e 31 vjetorit të pavarësisë, Famullitarit të Tiranës i kishte shkuar programi i festimeve të ditës së pavarësisë. Më 26 nëntor 1943, Prefektura e Tiranës i shkruante Dom Shtjefnit se, në festën kombëtare të 28 nëntorit të vitit 1943, ishte e angazhuar edhe Kisha Katolike.
Prefektura Mbretërore Tiranë 26.XI.1943
Së ndershmes Famullisë Katolike Tiranë
Bashkangjitur ju dërgojmë nji kopje të programit të kremtimit të përvjetorit XXXI t’Indipendencës Kombëtare, me lutje që dispono për mirë zbatimin e dispozitave që Ju takojnë.
Lutfi Shehu
Para se të shugurohej meshtar, Rektori i Kolegjës, Monsinjor Paolo Giobbe, tash Kardinal, tue pa se kishte ndieja tepër nacionaliste, e këshilloi të mos i përshtatej Arkidjeçezit të Shkupit (Jugosllavi), por e këshilloi (mbasi D.Shtjefni kishte insistua me shkue në Ardidjeçez të Shkupit, për me i’u shërbye shqiptarve), që të shkonte në Boston (ShBA), dhe atje do të mundej me u kujdesë për të mirën e shqiptarve. Por Don Shtjefni nuk ndigjoi, e insitoi me u shugurue meshtar për Arkidjeçez të Shkupit. Dhe ashtu u bë.
Në korrik të vitit 1921, shkoi në Kosovë, e mbasi qëndroi pak ditë në Ferizaj në familje, u prezentue tek Ordinari i tij, Imzot Lazer Mjada, Arqipeshkv i Shkupit, me rezidencë në Prizren. Imz. Lazer Mjeda, e emnoi famullitar të Novosellës, fraksion i Famullisë së Gjakovës, por mbas një mujit që qëndroi me te në Arqipeshvi i tha: “Ti do të jesh Sekretar i emi”. Edhe kështu veproi e punoi me ta për sa kohë që qëndroi në atë Arkidjeçez. Në nandor të vitit 1921, Imz. Lazer Mjeda, qe emnue prej Selisë Shenjte Arqipeshev i Shkodrës. Tue u nisë prej Arkidjeçezit të Shkupit për në Romë-Shkodër, Don Shtjefnin e muer me vedi.
Si vajten në Romë, në fillim të dhetorit 1921, Monsinjori u pranue në udjencë prej Papës Benediktit XV. Mbasi kreu punë me Papen, qe thirrë edhe D. Shtjefni te Papa, i cili e pyeti se ku i kishte ba studimet, e kur ishte ba meshtar. – I’u përgjegj se, i kishte krye studimet po atë vit në Romë e se, ishte ex-alumo i Kolegjës së Propaganda Fide, e se prej ti, përpara se të nisej për Misjonin e ti në Arkidjeçez të Shkupit, në udjencë private që kishte pas Kardinali i Propaganda Fide Gulielmo Van Rosum që pranue në udjencë e se kishte pas një dhuratë të çmueshme, një kryq të mirë, si ai i ipeshkvijve që mbajnë në perzem.
Papa, i mirëpriti këto fjalë e i tha: “Unë po të jap lejen me u shkëput prej Arkidjeçezit të Shkupit e me shkue me Arkidjeçez të Shkodrës, e të vazhdosh me qenë Sekretari i Arqipeshvit t’and”.
Don Shtjefni e falënderoi e i tha se kishte dëshirë me u kthye në Arkidjeçez të Shkupit e, me punue për atë popullsi të vendit.
Papës i erdh mirë fort për këtë përgjegje e i tha: “Mirë, ktheu e puno me at popull”; e mbasi mueren së bashku me Arqipeshvin bekimin e Tij, duelen prej studios së Tij. Si kaluen pak ditë, ndërsa ata ishin ende në Romë, qe se Papa Benedikti XV, smue e vdiq.
Ndejten me pa emnimin e Papës së ri.
Si u emnue Papë Kard. Ratti, i cili e muer emnin Pio XI, Imzot Mjeda e Don Shtjefni qenë të parët në audjencë te Papa i ri, i cili i priti në qelen e Konklavit; i përqafoi shqiptarçe, e i bekoi, mbasi patën krye punë me te. Imz. Mjeda, e muer në dorzim Arkidjoçezin e Shkodrës, simbas gjase, në shkurt, i shoqëruem prej D. Shtjefnit. D. Shtjefni, mbasi qëndroi në Shkodër afro një muaj, kaloj në Bari, ku u njoft me Luigj Gurakuqin, dhe u pa me të disa ditë në Venedik-Vjenë, së bashku me Imz. Luigj Bumçin, të cilin Kryeministri e Min. P. Mbrendshme i Shqipnis Ahmet Zogu e kishte largue prej Shqipnis.
Mbas 4 muajsh u kthye në Arkidjeçez të ti. Zevendës Arqip. i Shkupit Monsinjor Tomazo Glasnoviq, i tha që të shkonte me i ndimue Don Simon Gjokiq në Prizren. Aty u vu me e organizue rininë katolike të Prizrenit me orkester e thater. Don Simonit s’ia pat anda ketë gja: thotë se po më shurdhojnë rinija me orkestër.
Në vjeshtë shkoi në Gjakovë, me titull Famullitar i Novosellës. Prej Gjakove i shërbej famullis së vet, e cila nuk kishte as qelë as edhe një elter ku me meshue. Vitin 1922, Pashkësh, shkoi në Novosellë, e mblodh popullin edhe i tha se donte me ardhë e me banue në Novosellë. Prandaj kërkoi një dhomë me qira. Katundi i dha një dhomë te kulla e Ndue Gjokës. Aty, në atë dhomë, priste besimtarët, gatuente, flinte, meshonte e predikonte.
Mbi çati të shtëpisë pat vu një kumbonë, me të cilën lajmëronte popullin për meshë. Po atë verë, i’u vu punës për ndërtimin e famullis. Mbrenda i vitit hyni në qelë të re.
Famullinë e Novosellës e themeloi ai që prej parametrave, kelshejt e gjithçka ka. Themeloi ma vonë Kongregacjonin e Zojës, e Shoqninë e rinisë “Zoti me ju e me shpirtin t’and”. (Kështu u përshndetshin rinia e famullisë së Novosellës). Formoi korin, suell harmonium. Imz. Mjeda i çoi fjalë që të shkonte në Shkodër, ndimës famullitar i Pjetër Gjurës, por Don Shtjefni s’e pranoi. E pasuroi famullinë me tokë buke, me livadh, bahqe, kopshtina e tjera. I duel zot famullisë së vet e të gjithë popullsisë shqiptare të asaj Nënprefekture ndaj padrejtsinave, ndjekjeve e torturave që i bajshin autoritetet jugosllave. Dy herë shkoi në Beograd, për të protestue pranë qeverisë për padrejtsinat që i’u bajshin popullsisë shqiptare pa dallim fejet, t’asaj Nënprefekture.
Ahmet Zogu, kur iku prej Shqipnije, pat zan vend në Beograd. Në atë kohë xhandermeria e katundeve të Nënprefekturës së Gjakovës, pat rrahë e mbyt disa shqiptarë. Në katundin Doblibare, pat disa të vdekun prej dajakut. Don Shtjefni u zemrue. Atë ditë që ngjau kjo punë, u nis për Beograd e i dërgoi një raport me shkrim Ministrisë të Punëve të Mbrendshme, t’ue i kërkue që të dërgonte në vend një inspektim për të vërtetue ngjarjen. Njëkohësisht, shkoi me i ba një vizitë Zogollit në Hotel ‘Bristol’ ku kishte zanë vend. Atij i dorëzoi një promemorie mbi gjendjen e shqiptarve në Kosovë, një dorëshkrim afërsisht 300 faqesh.
Përmbajtjen i’a tregoi me fjalë gadi, i përmalluem, u mvrejt prej idhnimit. Promemoria mbaronte me këto fjalë: “Ti je tue u përpjekë për Shqipni, por të bijnë në mend se gjysma e Shqipnisë asht e robnueme tue vuejtë, çka të shkrova sipër”.
(Një këto fjalë i ka përsërit Zogu në vitin 1930, në janar D. Shtjefnit, kur mbasi kaloi kufinin e Jugosllavisë erdh në Tiranë, e qe në udjencë te ai. I tha: “Ti je Don Shtjefni që në Beograd më ke dhanë një promemorie mbi situatën e shqiptarve në Kosovë? I mbaj në mend të gjitha e ma tepër fjalët e fundit”.
Qeverija Jugosllave dërgoi në vend ku ishin rrahë njerzit, për të cilët Don Shtjefni kishte ba ankim, e që sa e sa prej tyne kishin gjetë vdekjen, por pa dobi. Asnjë njeri nuk kishte guxue me vërtetue atë që D. Shtjefni kishte deponue në Ministrisë e P. Mbrendshme me shkrim.
Pozita e tij ishte mjaft e keqe. Shkoi prap te Zogu e i’u lut që të ndërmjetësonte: Iu lut që të kërkonte prej Qeverisë ndrrimin e Prefektit të Pejës, të Nënprefektit të Gjakovës e të Post-Komandantave të Xhandermërisë së Postës të Nënprefekturës së Gjakovës; e pastaj të dërgojshin një inspektor me vërtetue çka kishte ankue. Edhe ashtu u ba, e inspektorit, katundarët i’a vërtetuene çka kishte deponue. U ba zbulimi i varreve të atyne që paten vdekë prej dajakut e, u vërtetue pikë për pikë çka ishte ankue në raport. U kthye i kënaqun në Novosellë, por vu re menjëherë se autoritetet e shikojshin me sy të keq. E ma tepër mësuesit e malazezët, të cilët ishin pranë cilesdo shtëpi të shqiptarve, të instaluem në tokat e tyne. Natyrisht për ta, ishte ai sy që ata donin që të dëshmonte, çka ishte t’ue ndodhë midis bashkëatdhetarëve të tij katolikë e muslimanë. Dikush prej autoriteteve të Nënprefekturës, mbas vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit, i kishte dhanë me lexue një letër, ku i bahej porosi me e gjurmue. Nëpunësi, i quajtun Jovan, i tha: “S’kam çka me të ba, je në listën e zezë”.
Kryemësuesi i shkollës së Novosellës, ngreu një padi kundër ti në gjyqë, tue paditë se kishte çue sherbtorin e vet shtëpi më shtëpi, tue i këshillue që të mos i çonin fëmijët në shkollë serbe. Një gja e tillë s’ishte e vërtetë, por me se e vërtetë ishte se D. Shtjefni u mësonte shqip, dhe u ndante libra shqip.
Tue pa se puna dita ditës po trashej, me dy shokët e ti, Don Luigj Gashin e Don Gjon Bisakun, të përcjellun prej Pashuk Bibës, Mark Berishës, dhe prej të jatit të Frano Sokolit, hiken e duelen në kufirin e Shqipnis në mesnatën, kur po fillonte dita e 2 janarit 1930, te piramida 11, Letaj.
S’andejmi, mbasi i banë mënjëherë telegram Zogut, tue kërkue ospitalitetin e Shqipnis, me urdhen të ti, qenë përcjellë për Krumë, Kukës, Bicaj-Peshkopi e Tiranë. Ende pa mbrri, gazetat kishin shkrue ma se një herë për kalimin e tyne në tokën shqiptare. N’atë dimen përpunuen Memorandumin që dojshin me ia dorzue Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Në prill, si e paten përpunue mirë e mirë, e si e paten përkëthye në gjuhë frengjishte, u nisen për Gjenevë. Sa arriten në Gjenevë, nesret i rrethuen maçedonasit-refugjat, në Hotelin “Suisse” ku kishin zanë vend.
Më 5 maj 1931, i’a dorzuen Sekretarit të Lidhjes së Kombeve Z. Enrih Drumont, memorandumin e tyne, me këtë titull: “Situatë e shqiptarve në Jugosllavi”, të nënshkruem prej D. Shtjefnit, Don Gjon Bisakut e Don Luigj Gashit. Në Gjenevë u shpërndanë 300 kopje të dorëshrimit personaliteteve politike. Më vonë e shtypen tekstin e dokumentit që e dorzuen në Lidhjen e Kombeve në 500 kopje. Ato i ndanë anë e mb’anë botës: a) të gjitha Ministrive të Jashtme të qeverivet që ekzistojshin aso kohe; b) Biblotekave kryesore të botës; ç) personaliteteve kryesore të botës etj.
Mbasi u kthyem prej Gjenevet, i banë nji vizitë Zogut. Ai desht me i dhanë D. Shtjefnit dekretin për ciledo punë shtetnore që të dëshironte. Don Shtejfni, i’u fal nderës e shtoi: “Madhni, unë jam prift katolik, e dëshroi me vazhdue me i sherbye kishës”. Mbreti u çue në kambë e i muer doren, ia shtregnoi e i tha: “Unë të çmoj e kam me të dasht gjithmonë. Për çdo nevojë qi ke me m’u sjellë mue”.
Në vjeshtë të vitit 1930, Arqipeshkv Gjura e emnoi famullitar në Shna Prende të Kurbinit. Një javë para të Shumave, e muer në dorzim famullinë. Ndërtesa e shkatrrueme faret e, populli sundues i gjasë së kishës. Imz. Gjura i kishte thanë: “Don Shtjefen, ti je pak i fortë, shikjo po muejte me i marrë tokët e gjanë e kishës, në sundim t’andin”. “Do të përpiqem”, i përgjegji. Sa arriti në famulli, bulku që i kishte dhitë e kishës (afërsisht 100 copë), po e lente Shna Prenden, për me shkue në Zhejë, e ishte kah donte me i’a dorzue parsisë së katundit dhitë e kishës.
Don Shtjefni i tha ati: “Dhitë janë të kishës, e sielli këtu në vathë temin”. Ai veproi ashtu si i kishte thanë Don Shtejfni. Atëherë dhitë, Don Shtjefni i’a dha ati që desht vetë. Posa e mueren vesht këtë punë, parsija e katundit, u grumbullue pranë ti; kërkojshin që të u’a dorzonte atyne dhitë. Don Shtjefni i’u përgjegj: “Shkoni te Arqipeshkvi e, po më shkrou Ai letër për me ua dorzue, unë i rri urdhnit”. Vajti puna gjer sa njeni ndër ta, i quajtun Ndrec Pjetër Mark Balozi, me i ngrehë pushkën. Don Shtjefni s’u përkul. Vojtën te Arqipeshkvi e, moren këtë përgjigje: “Unë s’i perzihem famullitarit, mos më keqni me te, se ai e çon punën në Rromë”.
Aty e sot (së pakut, për gjer sa ka qenë Don Anton Zogaj në Shna Prende), gjanë e gjallë e tokët i ka vendue prifti, pa i’u përzi katundi. Dom Shtjefni hoç abuzimin e ujit të bekuem. Ishte krijue zakon që seciles familje, prifti me ia çue në shtëpi ujin e bekuem. Ai që i pari që filloi me shkue shtëpi për shtëpi (e kjo punë vazhdonte ma se 2 javë), me i’u bekue shtëpijat e fshatnave të Famullisë, me rastin e festës s’Ujit të Bekuem.
Nuk ndigjoj me shkue me i’u thanë meshë, frakcjoneve në ditët e dytë e të tretë të Këshndellave e të Pashkve e të kremte tjera, po të mos vijshin ata në ditën e parë të Kremteve të mëdhaja në Kishën famullitare. Frakcjon të zakonshëm të gjitha ditëve të diela e festa e bani Skuraj. Sa qe në Shna Prende, e pat ba mujin maj. Bani edhe vorrezat e reja. Gjet shumë kundërshtime, por ma në fund ja doli. Pajtoi disa ustallarë e menjëherë ndreqi dy dhoma e një guzhinë ma së mirit. Ato tri dhoma i takamisi si në qytet, e si mbas gustos së ti.
Bisedoi me Delegatin Apostolik De la Pietra, për me e marrë në dorë të tanë ndërtesen e me e adpatue për Vilegjaturë të xhakojve të Seminarit Papnuer. Të dyten ditë të Këshndellave të vitit 1930, erdhen në qelë Delegati Apostolik e At Steccati, Rektor i Seminarit. Shikuen vendin, shtëpinë e gjithçka. E pelqyen fort mendimin e Don Shtjefnit. Ky u tha se mendonte me i krye të gjitha punimet me shpenzimin afërsisht të 400 napolonave. Në pranverë të vitit 1931, i’a hyni punës. Qe fat i mirë për vendas, se drithi ishte shumë shtrejtë, e kështu paten rastin, i madh e i vogël, me fitue lekun për sa kohë zgjaten punimet. Në kohën e pushimeve verore, erdhen xhakojt me verue në Shna Prende.
Në vitin 1932, në Sinodë, Imz. Gjura i propozoi, tue bisedue veçmas, në se do të pranonte me shkue në Gurëz, e me themelue famullinë e Gurëzit “ex novo”, mbasi ma parë administrohej prej famullisë së Milotit. I tha: “Po, shkoi”. Në Sinodë e propozoi dhe e emnoi. Më 28 shtator 1932, zbriti në Gurëz. Aty muer një dhomë zjarmit, të cilën e ndau për gjysë me drrasa me të zonë e shpisë, një farë Ndue Gjokë Troshani (asht ende gjallë në Gurëz). Po ashtu n’oborr, një kapelë, ku meshonte në ditët puntore. Të diele shkonte ku asht sot kisha e meshonte në një magaze të drithit që, e ka pasë goditë Austro-Ungaria (derrash). Përkohësisht i ngjiti asaj barake një kapelë të mirë murit, e cila komunikonte me barakë. Populli mbet i habitun./Memorie.al