BALLKAN, 13 Tetor 2025, 09:05

Zgjedhjet vendore/ Kush fitoi garën për komunat në Kosovë? 21 përmbyllen në raundin e parë, 17 shkojnë në balotazh

Zgjedhjet vendore/ Kush fitoi garën për komunat në Kosovë?

Rezultatet preliminare nga zgjedhjet lokale në Kosovë tregojnë se disa kandidatë tashmë kanë siguruar fitore të qarta për kryetarë komunash.

Nga komunat me shumicë shqiptare: Sami Lushtaku (PDK) kryeson në Skenderaj me 83,45% të votave, Ilir Ferati (LDK) udhëheq në Istog me 58,78%.

Agim Aliu (PDK) e ka siguruar edhe një mandat me të parën në Ferizaj me 56,47% të votave.

Shpejtim Bulliqi (LVV) udhëheq në Podujevë me 53,42%.

Imri Ahmeti (LDK) prin në Lipjan me 51,15%.

Bashkim Ramosaj (AAK) ka fitore të sigurt në Deçan me 51,57%.

Ramiz Lladrovci, ka dalë fitues në Drenas në garën për të parin e kësaj komune, pas numërimit të të gjitha vendvotimeve atje. Lladrovci ka arritur të marrë 52,31%, ose 13,140 Vota.

Ekrem Kastrati (Nisma) udhëheq në Malishevë me mbi 53,50%.

Edhe Mehmet Ballazhi i PDK-së e ka fituar edhe një mandat pa balotazh. Ai ka marrë 56,47%.

Kadri Rahimaj (LVV) në Kamenicë me 50,56%.

Qemajl Aliu (LVV) në Shtime me 50,52%.

Abdulhadi Krasniç (KDTP) në Mamushë me 50,52%.

Nga komunat me shumicë serbe, rezultatet preliminare tregojnë epërsi të qartë për Listën Serbe: Zoran Todiq në Leposaviq – 70,35%; Sasha Millosheviq në Novobërdë – 61,31%; Ivica Tanasijeviq në Shtërpcë – 66,41%; Millosh Peroviq në Zubin Potok – 79,67%; Dragisha Milloviq në Zveçan – 86,66%; Novak Zhiviq në Graçanicë – 61,88%; Tanja Antiq në Ranillug – 72,06%’;Dragan Petkoviq në Partesh – 89,88%; Millan Radojeviq në Mitrovicën e Veriut – 59,67%

Nga gjithsej 38 komuna, 21 prej tyre e kanë përmbyllur garën për kryetar komune që në rundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera pritet të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve – balotazhi.

Prishtina në balotazh: përballje mes LDK-së dhe LVV-së

Kryeqyteti Prishtina është ndër komunat që shkon në balotazh. Në këtë garë do të përballen Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duke rikthyer rivalitetin e fortë politik në qendrën urbane më të madhe të vendit.
Në raundin e parë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguruan fitore në nga tri komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në dy, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate fituan nga një komunë, po ashtu si Ramiz Lladrovci me listën e tij “Për Drenasin Kampion”.

Fitore të qarta në disa komuna: Ferizaj, Skënderaj, Podujevë, Lipjan

Në Ferizaj, garën e ka fituar sërish Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me mbi 56 për qind të votave.
Lipjani është fituar nga Imri Ahmeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili ka marrë mbi 51 për qind të mbështetjes.
Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka siguruar mbi 53 për qind të votave, ndërsa në Skënderaj, Sami Lushtaku i PDK-së ka shënuar fitore bindëse me mbi 83 për qind.
Edhe Kamenica e ka konfirmuar mandatin e Kadri Rahimajt (LVV) me mbi 50 për qind, ndërsa në Istog, Ilir Ferati (LDK) ka fituar me 58 për qind.
Në Shtime, Qemajl Aliu (LVV) ka marrë mbi 50 për qind, ndërsa Malishevën e ka fituar Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate me mbi 53 për qind.

AAK dhe listat qytetare mbajnë pozita në Deçan dhe Drenas

Në Deçan, fitore ka shënuar Bashkim Ramosaj (AAK) me mbi 51 për qind të votave, ndërsa në Drenas, Ramiz Lladrovci ka siguruar një tjetër mandat me listën e tij qytetare “Për Drenasin Kampion”, duke marrë mbi 52 për qind të votave.
Në Hani i Elezit, Mehmet Ballazi (PDK) ka fituar me mbi 50 për qind, ndërsa në Mamushë, Abdulhadi Krasniç nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar një fitore minimale me mbi 50 për qind.

Komunat me shumicë serbe nën kontroll të Listës Serbe

Në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – gara ka përfunduar me fitore të kandidatëve të Listës Serbe, forcës më të madhe politike të serbëve në Kosovë.
E njëjta parti ka shënuar fitore edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh, duke ruajtur kontrollin në të gjitha komunat ku komuniteti serb përbën shumicën.

Balotazhi më 9 nëntor: 17 komuna në raundin e dytë

Në 17 komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën, qytetarët do të rikthehen në kutitë e votimit më 9 nëntor, për të vendosur përfundimisht se kush do t’i udhëheqë komunat e tyre për katër vitet e ardhshme.

Pjesëmarrja dhe vota e diasporës

Sipas të dhënave zyrtare, dalja në këto zgjedhje ishte 39 për qind, nga gjithsej 2.069.098 qytetarë me të drejtë vote.
Rreth 44.000 votues të diasporës kanë pasur mundësinë të votojnë me postë nga jashtë Kosovës gjatë periudhës 17 shtator – 11 tetor.

Proces zgjedhor i qetë dhe pa incidente madhore

KQZ-ja ka bërë të ditur se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë, pa ndonjë incident të madh që do të ndikonte në ecurinë e votimit.
Institucioni pritet që brenda javës të përfundojë numërimin e votave të mbetura, përkatësisht votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të ardhura me postë.(INA)