BALLKAN, 3 Qershor 2024, 19:59

“Zemlajke”, publikohet përgjimi. Ja çfarë ka biseduar Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoičić

“Zemlajke”, publikohet përgjimi. Ja çfarë ka

Zbardhet biseda mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoičić.

Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiç i Listës Serbe.

“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiç deputetes së VV-së.

“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi (dëgjohemi)?”, e pyet Milan Radoičić.

“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

Radoičić: “Qysh je? Qysh po kalon?

Kusari-Lila: “Jam në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.

Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radoičić ishte përfshirë në Listën e Zezë.

Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radoičić, por kishte sqaruar se ajo është në gjuhën shqipe.

Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiç ia kishte kaluar telefonin pa paralajmërim.

Një vit më parë ishin publikuar audio-incizimet mes Kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiç, e ku përmes tij, ajo komunikonte edhe me të sanksionuarin famëkeq dhe në Listë të Zezë të SHBA-së, Milan Radoičić.

Një vit më vonë në fund të muajit shtator, Radoičić ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi në Banjskë duke lënë të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun.

Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me njësitet speciale të Kosovës. Pjesa tjetër e grupit arriti të largohej në drejtim të Serbisë.