BALLKAN, 18 Prill 2024, 13:22

Xhelal Sveçla: Jankoviç është dërguar në paraburgim për prishje të rendit në Serbi

Xhelal Sveçla: Jankoviç është dërguar në

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të informacioneve që kanë autoritetet, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, është dërguar në paraburgim prej 48 orësh nga autoritetet serbe.

Ai, sipas tij, po akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Sveçla tha se një ditë më parë “së paku 1.498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar, e disa arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre në UÇK apo të familjarëve të tyre si dhe vendndodhjes apo veprimtarisë së tyre më 1998-99”.

Sveçla bëri thirrje për lirimin e Jankoviçit, por edhe të qytetarë të tjerë, “pasi që sipas informacione të tjerë, ka edhe qytetarë që po mbahen të arrestuar”.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë, Jankoviç.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, u shpreh Kurti, duke iu referuar Jankoviqit. Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës – shqiptarë dhe serbë – ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë. Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se pesë policët, ishin dërguar në Rashkë. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë konfirmoi për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se katër policë të Kosovës u ndaluan të mërkurën gjatë kontrolleve kufitare, duke thënë se njëri prej tyre është zëvendësdrejtor i policisë.

Sipas MPB-së serbe, ndalimi i tyre në pikëkalimet kufitare u bë gjatë kontrolleve të sigurisë. Nga ky institucion nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ndalimin e policëve të Kosovës. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti tha po ashtu se Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë. Sipas Kurtit, këto veprime të autoriteteve serbe u bënë në shenjë hakmarrjeje, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim të përshkallëzimit të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon, e sidomos në Kosovë”, tha Kurti.

kryeministrit kosovar arrestimet ishin paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një konference për media në fundjavë, në shënimin e përvjetorit të themelimit të një njësie speciale ushtarake serbe, që sipas Kurtit, ishte përgjegjës për “rrëmbimin” e tre policëve të Kosovës gjatë vitit të kaluar.

“Momenti kur kanë filluar arrestimet në masë, ndalimet dhe maltretimet e udhëtarëve është menjëherë pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Pra, të shtunën e kemi ditur se kjo javë do të jetë javë e ndjekjes dhe arrestimeve, sepse është paralajmëruar, por çasti, momenti dhe intensiteti i jashtëzakonshëm masiv i këtyre arrestimeve dhe ndalimeve, nisi pikërisht pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, me veprimet e 17 prillit, Serbia ka shkelur disa marrëveshje të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfshirë atë për lëvizjen e lirë dhe Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që rritur vitin e kaluar.

“Pas rënies së lirë në autokraci në dhjetë vjetët e fundit, regjimi në Serbi në bashkëpunim me Federatën Ruse është në kërkim të vazhdueshëm të tensioneve e konflikteve, herë në Kosovë, herë në Bosnje e Hercegovinë, herë në Mal të Zi, e shpeshherë në dy apo tri shtetet njëkohësisht. Serbia është burim i kërcënimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit”, tha Kurti. Serbia ka mohuar se ka ndaluar autobusët me udhëtarë nga Kosova, duke i cilësuar akuzat e Kosovës si “të pabaza”.

“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë dhe sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare”, tha Ministria serbe për Punë të Brendshme përmes një reagimi të publikuar më 17 prill. Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.