BALLKAN, 8 Maj 2024, 08:44

Sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në RMV, Vetëvendosje garon me tre kandidatë për deputetë

Sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në RMV,

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale (raundi i dytë).

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti garon në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj, në koalicionin e partive opozitare shqiptare me akronimin VLEN. LVV ka tre kandidatë për deputetë ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit.

Në zgjedhjet presidenciale, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin bindshëm në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale kundrejt Stevo Pendarovskit, presidentit aktual maeqdonas nga LSDM-ja i cili renditet i dyti. Ata përballen sot në një rund të dytë votimi.

Për zgjedhjen e presidentit të ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, që i bie se nevojiten votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i vleu Arben Taravarit, kandidatit për president të VLEN-it, i cili më 24 prill u desh të përballej me humbjen në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Në garën që realisht e kishte me Bujar Osmanin – kandidatin e koalicionit Fronti Europian të udhëhequr nga BDI-ja – ai u mposht bindshëm. Diferenca mes tyre ishte afro 40 mijë vota.

Zgjedhjet e sotme do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të duhet t’i sigurojë 61 votat e nevojshme. VMRO-DPMNE, partia e udhëhequr nga Hristjan Mickoski është favorite në sondazhe.

BDI-ja e Ali Ahmetit, partia më e madhe e shqiptarëve në RMV, publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat për president apo do të bëjë ftesë për bojkot.

Ndërkaq në anën tjetër, në shtabin e koalicionit VLEN të hënën shkoi kreu opozitar maqedonas, Hristjan Mickoski, i cili u takua me Arben Taravarin.

Qeveria e Kosovës ishte angazhuar në fushatën për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar Taravarin dhe VLEN-in.

Para rreth dy javësh, Qeveria e Kosovës e bëri çështje diskutimi një plan 9 pikësh të propozuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në qershor të vitit të kaluar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pasi Bujar Osmani, i cili e kishte kryesuar këtë organizatë të rëndësishme, kishte treguar paraprakisht se si kishte kontribuar për shtensionimin e situatës në Kosovë, duke e përpiluar vetë atë plan.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e akuzonte kandidatin për president të RMV se e ka parë Kosovën me sytë e ndërkombëtarëve.

Këtë ndihmë të Qeverisë së Kosovës në betejën zgjedhore atje nuk mbeti pa e shfrytëzuar Taravari, i cili shkruante se si Osmani ia paska bërë “argatin Serbisë” dhe se se sa mirë ka bërë Qeveria e Kosovës sipas tij që “nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit”, pasi me të, “bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë”.

Osmani kishte reaguar më pas, duke i shënjestruar ato që ai i quajti “lojëra elektorale”.

Përtej kësaj, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte pjesë personalisht në tubimet e koalicionit VLEN në Cyrih dhe Berlin para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Por s’shkoi me arsyetimin se “obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë”, dhe “kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji verior” ia pamundësuan pjesëmarrjen. Në vend të tij atje e çoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përmes një video-mesazhi, porosiste që në zgjedhjet presidenciale të votohet masivisht, ndërsa shprehej se “Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë”.

“Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e presidentin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi”, thoshte Kurti.

Më herët, ai mohonte se po përzihej në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon e se shqiptarët duhej të vendosnin vetë për çështjen e presidentit, por më pas i kishte sjellë në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it me të cilët ishin pajtuar se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit më 30 janar.

Taravari e kishte pranuar para pak javësh se Kurti e kishte inkurajuar që të garojë për president të Maqedonisë së Veriut.

Për koalicionin jo shumë zyrtar të LVV-së me partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut bënte të ditur për herë të parë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në fund të vitit të kaluar. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar atyre edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në RMV në verë të vitit 2023.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga Talat Xhaferi i BDI-së, i cili është bërë shqiptari i parë që e mori këtë detyrë.