TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit A.I., i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.
Sipas kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, hetimet fillestare kanë konfirmuar se ekziston dyshimi i bazuar se A.I. ka privuar nga jeta dy vëllezërit D.M. dhe N.M., të cilët ishin vëllezër të bashkëshortes së tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, kur i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes për t’i marrë atë dhe fëmijët, të cilët ndodheshin aty në kuadër të ceremonisë së varrimit të babait. Gjatë largimit, pas një përplasjeje verbale, ai ka përdorur një pistoletë të tipit TT, duke shtënë disa herë mbi D.M. dhe më pas mbi N.M., të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Pas kryerjes së krimit, A.I. ka braktisur armën dhe është larguar, ndërsa viktimat janë transportuar drejt QKMF-së së Kijevës, ku është konstatuar vdekja.
I dyshuari është arrestuar një ditë më vonë, dhe ndaj tij është ngritur dyshim i bazuar për veprat penale “Vrasje e rëndë” (neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11) dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366, paragrafi 1) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktualisht, A.I. ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.