TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia maqedonase, VMRO-DPMNE duket se ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, sipas rezultateve paraprake të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Nga rreth 80% e kutive të hapura, VMRO po udhëheq me 42.75% të votave. Në vend të dytë është renditur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit me 14.42% të votave ndërsa në vend të tretë ka zbritur koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, LSDM që aktualisht është në pushtet, por që ka vetëm 14.67% të votave.
Koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare është i katërti me 11.38% të votave. Pas daljes së këtyre rezultateve LSDM në pushtet tha se do të pranonte verdiktin e popullit.
“Zgjedhjet ishin të ndershme dhe demokratike. Qytetarët thanë qartë zgjedhjen e tyre. Falënderojmë qytetarët që votuan në mënyrë të kulturuar dhe demokratike dhe institucionet për korrektësi dhe rend. Rezultati i sovranit do të pranohet”, – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së. Ajo shigjetoi edhe BDI-në që bojkotoi zgjedhjet presidenciale. “Secila parti duhet t’i përgjigjet vetes dhe qytetarëve për veprimet e saj në zgjedhje”, – tha zëdhënësja Bogdanka Kuzeska.
Ndërsa në selinë e VMRO-DPMNE-së janë të bindur se do të marrin mbi 61 deputetë duke e bërë të vetëm qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me votat e shqiptarëve. Sipas një projeksioni paraprak (shih më poshtë) kjo forcë ka 59 deputetë. “Fronti Evropian” ka 19 deputetë ndërsa LSDM e ndjek me 18 deputetë dhe VLEN me 13 deputetë.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.41%. Qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulësesh.
VMRO DPMNE është duke fituar bindshëm edhe zgjedhjet për presidentin e ri. Sipas rezultateve të 84.18% të kutive të numëruara, kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska Davkova ka 64.84% të votave ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski i LSDM-së nuk ka shkuar më shumë se 29.29% të votave.
Pas shpalljes së këtyre rezultateve Perndarovski pranoi humbjen dhe përgëzoi Siljanovskën, por edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren dhe u uroi punë të suksesshme.
Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31%, që nënkupton se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% që votimet të konsiderohen të suksesshme. Ra në sy që në zonat me popullsi shqiptare u bojkotua votimi për presidentin e vendit. VMRO DPMNE-ja tha pas daljes së rezultateve se “dështoi skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.
Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.
Procesi zgjedhor u zhvillua në 3480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj. Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.