BALLKAN, 17 Prill 2024, 10:00

Policia e Kosovës arreston xhudistin e njohur, Akil Gjakova akuzohet për dhunë në familje

Policia e Kosovës arreston xhudistin e njohur, Akil Gjakova akuzohet

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar xhudistin kosovar, Akil Gjakova.

Ylli kosovar ishte duke qëndruar jashtë vendit tash e sa ditë, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes është futur në territorin e Kosovës dhe është dorëzuar në polici me të hyrë në pikën kufitare në Merdarë.

Xhudisti pejan akuzohet për “dhunë në familje” dhe për këtë vepër penale është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Pejë  13.04.2024, 13:30. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Siç dihet, 28-vjeçari u shpall në kërkim ditën e djeshme nga Policia e Kosovës, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, duke kërkuar edhe ndihmë nga qytetarët.

Federata e Xhudos e Kosovës (FXhK) ka reaguar pasi Policia e Kosovës e shpalli në kërkim xhudistin, Akil Gjakova. FXhK ka dënuar fuqishëm çdo formë dhune, duke shprehur shqetësimin për ngjarjet e fundit në vendin tonë.

Federata e Xhudos gjithashtu shkroi se “beson në pafajësinë e Akilit”, teksa ka uruar që organet e drejtësisë të zbardhin rastin sa më shpejt.