BALLKAN, 22 Prill 2024, 16:04

Dështimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, BE: Rezultati nuk kontribuon në uljen e tensioneve

Dështimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, BE: Rezultati nuk

Bashkimi Evropian ka thënë të martën se ndonëse Kosova e ka organizuar procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, rezultati i procesit të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se BE-ja shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në veri nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, që t’i zgjedhin kryetarët që do të ishin me të vërtetë përfaqësuesit e tyre.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-së, të bazuara në një raport të Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të bllokut evropian”, ka thënë Stano, pa përmendur afate kohore kur do të zhvillohen këto diskutime. Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues. Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave të BE-së, të vëna ndaj Kosovës vitin e kaluar, me arsyetimin se vendi nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri, në maj të 2023-ës.

Atëherë, serbët lokalë kanë protestuar kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata është përshkallëzuar në dhunë. Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë plagosur rëndë.

Të plagosur ka pasur edhe nga ana e protestuesve. Në rritje e sipër të presionit ndërkombëtar, Kosova e ka prezantuar vitin e kaluar një udhëzim administrativ për largimin e një kryetari nga pozita që mban. Në përputhje me të, fillimisht është organizuar një petiicion, në të cilin janë mbledhur 20 për qind e nënshkrimeve të nevojshme për nisjen e procesit të votimit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka marrë pjesë në peticion, por jo edhe në votimet e 21 prillit, duke pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje, një ditë më parë, për mosshfrytëzimin e të drejtës së votës në veri.