BALLKAN, 27 Tetor 2025, 12:32

Pas dështimit të Kurtit, Kosova drejt zgjedhjeve të reja. PDK deklaron se nuk i ka numrat

Pas dështimit të Kurtit, Kosova drejt zgjedhjeve të reja. PDK

Pasi Kurti nuk arriti të sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, pritet lëvizja e presidentes Vjosa Osmani për të zhbllokuar vendin nga kjo krizë politike.

E para e vendit pritet t’i thërrasë brenda 10 ditëve liderët e partive politike për të emëruar një mandatar të dytë për kryeministër ose për të marrë vendimin që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Mandatari i ri për formimin e qeverisë është kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Por Krasniqi ka thënë se do t’i kërkojë Osmanit të shkohet në zgjedhje menjëherë, pasi nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për të formuar ekzekutivin.

Qeveria e re dështoi të zgjidhet pas tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Pavarësisht vonesave të shkaktuara nga dërgimi i vendimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe moskonstituimi i Kuvendit, Kurti nuk arriti të bindë partitë politike që të votojnë për qeverinë e drejtuar prej tij.

Një ditë më parë, Albin Kurti nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.