TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Turqi, pasi një burrë vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, brenda ambienteve të një spitali privat në qytetin Kahramanmaraş, në jug të vendit.
Sipas mediave vendase, Atilla Ayintapli, 44 vjeç, akuzohet për vrasjen e Eser Karaca, 42 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe punonjëse si sekretare mjekësore në spitalin ku ndodhi ngjarja. E rëndë është edhe fakti se ngjarja ndodhi pikërisht në ditën kur Karaca kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit të saj, pas një historie të gjatë dhune dhe kërcënimesh.
Një video e publikuar nga mediat ndërkombëtare dokumenton momentin dramatik kur Ayintapli hyn në spital, i veshur me rroba të zeza dhe me një qese plastike në dorë, ku kishte fshehur armën. Ai shkon drejt zyrës së ish-bashkëshortes së tij, ku ndodhej edhe një kolege e saj. Dy gratë përpiqen ta ndalojnë dhe më pas tentojnë të largohen, por autori nxjerr nga qesja një armë gjahu dhe e ndjek Karacën nëpër shkallë.
Pamjet tregojnë momentin kur ajo përpiqet të mbrohet me duart lart, por Ayintapli e qëllon dhe e rrëzon. Më pas, ai shtie tri herë të tjera mbi të dhe largohet nga vendngjarja. Koleget e tronditura nisen menjëherë drejt saj, mes britmave dhe të qarave, ndërsa Karaca transportohet me urgjencë në spital, por fatkeqësisht humb jetën nga plagët e marra.
Autori u kap disa orë më vonë nga autoritetet dhe ndodhet tashmë në paraburgim. Ai akuzohet për vrasje të qëllimshme dhe kërcënim me armë ndaj punonjësve të tjerë të spitalit. Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa çështja pritet të shkojë për gjykim.
Ky krim i rëndë ka rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës ndaj grave në Turqi, ndërkohë që organizatat për të drejtat e njeriut dhe grupet për mbrojtjen e grave kanë dënuar ashpër aktin, duke kërkuar masa më të forta ligjore për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.