BALLKAN, 3 Nëntor 2025, 16:23

Një person sulmohet dhe rrëmbehet nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës

Një person sulmohet dhe rrëmbehet nga xhandarmëria serbe brenda

Sipas policisë, kjo ka ndodhur dy ditë më parë.

“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe”, shkruan Policia.

Bëhet e ditur se ai u rrëmbye në zonën e Leposaviqit dhe është njoftuar edhe KFOR-i.

“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, njofton tutje policia.

Janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit, sipas të cilëve disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.