TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiçit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.
“Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell. Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, -tha Borrell. Ndërkaq, para takimeve në Bruksel Vuçiç tha se nuk pret asnjë rezultat nga takimi me Kurtin. “Nuk pres asgjë. Pres që [Kurti] të dramatizojë dhe të bërtasë pak, derisa t’i them që të ndalet. Do ta dëgjoj me kujdes Borrellin dhe Lajçakun, nuk kam asgjë kundër tyre, ata punojnë në rrethana të vështira. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. Nuk pres konkluzione të mëdha”, tha Vuçiç për gazetarët.
Takimi i parë i Kurtit dhe Vuçiçit këtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar. Kryediplomati evropian pritet të flasë për media pas takimit trepalësh.