TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një shqiptar i Kosovës ka vrarë gruan gjermane dhe më pas veten, rreth një javë më parë në qytetin e Siegenit, duke tronditur komunitetin lokal ku jetonin, por dhe të afërmit në vendlindje që e kanë mësuar lajmin nga mediat.
Identitetet e tyre nuk bëhen ende me dije për publikun, por Klan Kosova thotë se ka marrë informacion zyrtar nga Policia gjermane, e cila i ka konfirmuar se autori është me origjinë shqiptare nga Kosova, kurse gruaja ishte vendase.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e 10 tetorit në qytetin e Siegenit dhe siç raportohet, burripër arsye ende të panjohura ka mbytur gruan e tij gjermane dhe më pas ka vrarë dhe veten. Çifti kishin dy fëmijë të mitur, të cilët tani kanë mbetur jetimë.
Ata kishin pothuajse të njëjtën moshë, respektivisht, burri ishte 39 vjeç kurse gruaja gjermane, 40 vjeçe.
“Në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 10 tetor, një operacion policor u zhvillua në një kompani në Siegen. Punonjësit kishin gjetur të varur në një sallë të kompanisë (Maccostrase në lagjen Eiserfeld). Viktima (39-vjeçar) ishte po ashtu punonjës i kompanisë”, ka thënë Policia.
Hetimet treguan se nuk kishte prova për ndonjë krim dhe se vdekja cilësohej si “Vetëvrasje”. Por, më vonë, po atë ditë, gruaja e viktimës raportohet se u gjet e vdekur në banesën e tyre në Siegen. Pas autopsisë së bërë në trupin e 40-vjeçares, u konstatua se ajo është mbytur.
Sipas policisë së Siegenit, nuk ka prova se dikush jashtë kësaj familje mund të jetë i përfshirë, dhe se i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj.
“Në bazë të gjetjeve të deritanishme tregohet fuqishëm se bashkëshorti 39-vjeçar është përgjegjës për vdekjen e 40-vjeçares. Hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe ende janë duke vazhduar. Rezultate të mëtejshme priten”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë për Klankosova.tv.