BALLKAN, 11 Shkurt 2026, 17:58

Nga betimi i deputetëve te zgjedhja e kryetarit dhe n/kryetarit, nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Nga betimi i deputetëve te zgjedhja e kryetarit dhe n/kryetarit, nis seanca

Ka nisur këtë pasdite, seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës nën udhëheqjen e deputetit më të vjetër, Avni Dehari.

“Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, kryetari i Kuvendit nga legjislatura e nëntë, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar vende në kuvend të mbajtur me 10 shkurt 2026 ka bërë përgatitjet për mbajtjen e seancës themeluese të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit”, tha deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetët e rinj të legjislaturës së dhjetë kanë nisur të mblidhen në Kuvendin e Kosovës aty ku pritet të japin betimin si ligjvënës të rinj, të votohet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët  kësaj legjislature.

Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se pas kësaj seance pritet të jetë edhe një tjetër seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Ky është rendi  i ditës për këtë seancë:

-Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
-Betimi i deputetëve,
-Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
-Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.