BALLKAN, 17 Prill 2024, 18:27

Ndalohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga komuniteti serb

Ndalohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviç, është ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën, njoftoi në rrjetet sociale Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sipas informatave brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës, Jankoviç – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – është ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe është dërguar për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

Nadalimi i Jankoviçit vjen në të njëjtën ditë kur Ministria e Jashtme e Kosovës tha të mërkurën herët se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar si “të pabaza” akuzat e autoriteteve kosovare se ajo ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj.