TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka vdekur ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi. Vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit. Në kohën e shpalljes së Pavarësisë së vendit ishte deputet nga Grupi Parlamentar i LDK-së.
Lajçi ka përfunduar gjimnazin në Pejë dhe Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Ai ishte ish i dënuar politik nga regjimi i Serbisë. Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.
Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë Kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për vdekjen e tij ka shkruar në Facebook, gazetari e analisti Halil Matoshi.
Më poshtë postimi i Matoshit:
Lamtumirë ikonë e pranverës ‘81
1. PRELUD: “Jini realistë – kërkoni t’pamundshmen…”
Në maj të 1968 kur u ngritën studentët europeanë kundër baballarëve akterë të tregimeve të mdhaja, të nji bote byrokratësh qe po zine myk, nji ndër parullat ishte: “Jini realistë – kërkoni t’pamundshmen”.
Andrrohej ‘nji socializëm me ftyrë njeriu’ dhe sapo njerëzit u ngritën me e kërku, ai u varros!
2. EPILOG: “Jini idealistë – kërkoni t’pamundshmen!?”
Më 1981 studentat kosovarë ende ishin në atë “korridorin e ngushtë” të komunizmit që kontrollon çdo gjâ (me sytë e milicive sekrete);
Ne ende nuk kemi nji histori të mbështetun në fakte për revolucionin studentor në pranveren ‘81 – porse ai ndodhi dhe afektoi jetët tona – plot dy dekada!
Ata kërkuen t’pamundshmen, por nuk ishin realista, ishin idealista!
Ali Lajçi, nëse jo figura qendrore, ishte ndër monumentalet!
Njihet për fjalinë nxitëse e shumë popullore: “Jepi vurmak”!
Ai sot e mbylli ciklin e tij jetësor për me e çelë debatin e madh: Çfarë ndodhi në Kosovën autonome më 1981.?
Kryeministri Albin Kurti është shprehur i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi.
I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij.
“Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim”, kujton kryeministri.
Lajçi u lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur.
Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007.
Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Kryeministri thotë se ka njohur Lajçin në kohën që ky i fundit ishte deputet i LVV-së.
“Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës”.
“Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij”, ka përfunduar Kurti telegramin e ngushëllimit.