BALLKAN, 11 Maj 2024, 19:11

Kurti ftoi krerët e opozitës në një darkë pune, Abdixhiku dhe Haradinaj e refuzojnë publikisht

Kurti ftoi krerët e opozitës në një darkë pune,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror sipas mediave në Kosovë.

Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka takuar krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.

Megjithatë ftesa e Kurtit nuk është pranuar nga dy prej liderëve të opozitës deri më tani, Lumir Abdixhiku i LDK dhe Ramush Haradinaj i AAK.

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ia ka kthyer letrën kryeministrit Kurti, duke e konsideruar të vonuar ftesën për të krijuar klimë bashkëpunimi në Kuvend.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.

Haradinaj nga ana tjetër është përgjigjur duke thënë se tema për të cilën i ka ftuar Kurti, bie në përgjegjësin e shefave të Grupeve Parlamentare, teksa shtoi se nëse ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë çështjen mund ta trajtojnë në një moment tjetër.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z.Besnik Tahiri i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejtë në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre. Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një momentum tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”, thuhet në letrën e Haradinajt.