BALLKAN, 21 Prill 2024, 20:10

KQZ jep shifrat e daljes së qytetarëve në votime: Iniciativa për largimin e kryetarëve në Veri të Kosovës ka dështuar

KQZ jep shifrat e daljes së qytetarëve në votime: Iniciativa
Kreshnik Radoniqi

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së konfirmon se ka dështuar shkarkimi i katër kryetarëve shqiptar në veri për shkak të mospjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

Në një konferencë të thirrur për media ai tha se në Zveçan s’ka pasur asnjë votues.

“Të 23 qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00, sipas të dhënave që kemi pranuar në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim:

Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, Zveçan nuk ka votuar asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 111 votues”, tha Radoniqi.

“Nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, pra nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm, prandaj konstatojmë se iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar”, konfirmoi ai.

“KQZ është angazhuar maksimalisht për të organizuar procesin e votimit në këto komuna”, tha ai.

13 mijë e 647 qytetarë në komunën e Leposaviqit kishin të drejtë vote, megjithatë, interesimi ishte tejet i vogël. Qendrat e votimit në këtë komunë u hapën me disa minuta vonesë për shkak të problemeve teknike.

“Në disa qendra ka nisur me vonesë, për shkak të vonesave të anëtarëve të këshillave për të ardhur në vendvotim, por kemi arritur t’i hapim”, u shpreh Zoran Stojanoviç nga KKZ.

Një prej qendrave të votimit mëngjesin e kësaj të diele e vizitoi edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili foli edhe për bojkotin që qytetarët serbë, nën thirrjet e Listës Serbe i bënë procesit.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë, ata i shohin institucionet vetëm për vetën, jo për qytetarët”. 

Me probleme teknike të herë pas hershme u përcoll votimi edhe në Zubin Potok, komunë kjo që ka 6 mijë e 877 banorë me të drejtë.

“Na ka munguar lidhja e internetit për disa momente, disa probleme teknike, por është evituar”, tha Agim Krasniqi.

Interesimi i qytetarëve për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqirit ishte i ulët. E as vetë kryetari nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij të votës.

“Është hera e parë që nuk do të shfrytëzoj të drejtën për të votuar, arsyeja është se nuk dua të shkaktoj huti se a ka votuar kryetari pro apo kundër shkarkimit të kryetarit. Nuk do të dal fare”, tha Izmir Zeqiri, kryetari i Zubik Potokut.

Zveçani ishte komuna në të cilën deri pasditen e vonë nuk votoi asnjë qytetar.

As kryetari i kësaj komune, Ilir Peci nuk ka votuar për apo kundër shkarkimit të tij. “Nuk kemi votuar dhe nuk do të dalim”, tha ai.

Në Mitrovicë të Veriut, komunë kjo me 18 mijë e 796 qytetarë me të drejtë vote, nisi procesin e votimit pa probleme të theksuara, por qytetarët ishin të painteresuar.  Edhe ata që votuan, ishin kryesisht shqiptarë dhe boshnjakë.

Edhe në këtë komunë si në të tjerat, ambasadorët e vendeve të QUIN-it erdhën për monitorim të procesit.

“Jemi këtu për të vizituar qendrat e votimit këtu në Mitrovicë të Veriut dhe do të shkojmë në Zvecan. është e rëndësishme për në që të shohim nga afër se si po shkon procesi”, u shpreh Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë.

Ndërkombëtarët e vëzhguan procesin me 17 ekipe dhe rreth 60 persona në terren. Në vëzhgim të situatës ishin KFOR-i dhe EULEX që bënin patrullime të vazhdueshme nëpër katër komunat veriore.

Këtë të dielë, në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut u votua për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë. Të drejtë vote kishin 46 mijë 556 qytetarë. Për të pasur sukses ky proces duhen 50% +1 votë.