BALLKAN, 28 Dhjetor 2025, 10:14

Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rreth 2 milionë shtetas me të drejtë vote

Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rreth 2 milionë

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpërndarë materialet zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Kosovës.

Prej orës 7:00, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë t’u drejtohen qendrave te votimit, për ta zgjedhur legjislaturën e dhjetë.

Në zgjedhjet e sotme garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi ka hedhur votën e tij sot në Pejë për zgjedhjet nacional u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Siç ndodh rëndom në procese zgjedhore, komuniteti serb voton në mënyrë të organizuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur procesi i votimit në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.