BALLKAN, 27 Maj 2024, 18:15

Kadri Veseli nga Haga: Mos të cenohet besimi i popullit të Kosovës në Gjykatën Speciale

Kadri Veseli nga Haga: Mos të cenohet besimi i popullit të

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke u ndërlidhur me deklaratat në seancën e sotme në Hagë, ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë, transparent, dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me juve për faktin se është në interesin publik. Çështja e parë ka të bëj me kohëzgjatjen e këtij procesi, që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues”, tha Veseli.

“Nuk dua të paragjykoj, por dua të them se: besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin, që dikush duhet të merr përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat e Kushtetutën e Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”.

Ai kërkoi të mos cenohet besimi i qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare.

“Unë si njëri nga të akuzuarit, i nderuar, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës i cili e ka krijuar, me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partner tanë ndërkombëtarë, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Veseli komentoi edhe përplasjet e ashpra që po shfaqen ndërmjet kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, me avokatin Ben Emmerson.

“Është edhe një çështjet tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim: i nderuar trupi gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e joprofesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam drej të jap mesazh: nuk do të doja që në gjera që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e pararagjykohet, sepse ka një mospërmbajtje në adresimet e avokatit tim” .