TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Serbia ka shpenzuar të gjitha përpjekjet e saj për të luftuar kundër Rezolutës për Srebrenicën, për të cilën do të vendoset në Kombet e Bashkuara. Argumenti i qeverisë është se kjo rezolutë e paraqet popullin serb si gjenocidal. Historiani dhe ish-diplomati serb Millan St. Protiq thekson se qeveria në Serbi, gjegjësisht presidenti Aleksandar Vuçiq, është ai që e paraqet popullin serb si gjenocidal dhe ia kalon fajin e vet individual të gjithë kombit.
Duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë para dënimit të Ratko Mlladiqit për krime në Srebrenicë, “se populli serb po përballet me një situatë të vështirë”, St. Protiq ka theksuar se në atë deklaratë shihet se ai e përfaqëson popullin serb si gjenocidal.
“Sepse kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të një njeriu që u soll para kësaj gjykate për shkak të asaj që ai ka bërë. Vuçiqi nuk ka thënë se ai mendon se Mlladiqi është fajtor apo nuk është fajtor, por përgjegjësinë ia bart popullit serb duke thënë se nëse ai dënohet, do të dënohet i gjithë populli serb”, ka thënë St. Protiq për N1.
Ai ka shpjeguar se argumentimi i Serbisë se janë viktima sepse të gjithë po komplotojnë kundër saj përfaqëson lidhjen e përgjegjësisë individuale me interesat e një kombi sepse këta njerëz, kjo politikë, kjo nomenklaturë janë më të rëndësishme se interesat e popullit.
“Prandaj ky qëndrim kurrë nuk u largua, përkundrazi, edhe sot e kësaj dite përdoret për të bartur përgjegjësinë te gjithë kombi dhe shteti dhe për të mbrojtur ata që janë fajtorë dhe përgjegjës”, ka St. Protiq.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se politikës që po kryhet në Beograd dhe Banjalluka i mungon shumë konsistenca dhe logjika, dhe se qëndrimi ndaj krimit në Srebrenicë është relativizuar në atë masë saqë konsiderohet e arsyeshme që ajo masakër e tmerrshme, të cilën gjykata e cilësoi si gjenocid, në çdo mënyrë të justifikohet dhe për ta treguar Serbinë para publikut ndërkombëtar si një vend që ka pozicionin e mbrojtëses”.
St. Protiq ka vlerësuar se më e keqja nga të gjitha është politika shtetërore ndaj Rezolutës për Srebenicën. Duke thënë se në vend që Serbia të mbështesë rezolutën dhe kështu të tregojë qëndrimin e saj ndaj asaj që ndodhi në Srebrenicë, shteti po ndjek një politikë aktive për të minimizuar faktin e tmerrshëm për atë që u bë në Srebrenicë.
“Po kërkohen të gjitha mënyrat për ta zbutur këtë rezolutë, për ta relativizuar atë”, ka thënë St. Protiq.