BALLKAN, 21 Prill 2024, 17:18

Dështojnë votimet në veri të Kosovës, Zveçani bojkoton procesin, në tri komunat e tjera vetëm 203 votues

Dështojnë votimet në veri të Kosovës, Zveçani

Sot në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë nëse duan apo jo të largojnë kryetarët aktualë shqiptarë.

Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Që nga ora 07:00 e deri në orën 15:00 në katër komunat në veri, në procesin e votimit për shkarkimin e qytetarëve kanë marrë pjesë vetëm 203 qytetarë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencën e tretë të KQZ-së për procesin e sotëm të votimit.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar deri më tani ju njoftojmë që procesi i votimit po vazhdon. Nga të dhënat që kemi nga Komisionet Komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: Leposaviq 122, Zubin Potok 17, në Zveçan s’kemi asnjë votues dhe në Mitrovicë të veriut 64 votues”, tha Elezi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të votimit dhe të shprehin përmes votës nëse janë pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.

Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Në katër komunat në veri do të jenë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.