BALLKAN, 13 Maj 2024, 10:34

Albin Kurti do të takohet sot me kreun e PDK-së, i vetmi opozitar që i’u përgjigj kërkesës së kryeministrit për diskutim

Albin Kurti do të takohet sot me kreun e PDK-së, i vetmi opozitar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ftoi takim me përfaqësuesit e partive opozitare për të diskutuar agjendën e miratimit të një numri ligjesh, por ftesës i është përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Takimi pritet të nisë të hënën në orën 18:30, e Krasniqi është shprehur se temë interesi për PDK-në nuk do të jenë ligjet. Nga kjo parti kanë thënë se pjesëmarrja e Krasniqit do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën, dhe mund ta konfirmoj që kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Ai është shprehur se qëndrimi i PDK-së është që Kosova gjendet në krizë dhe zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Prandaj edhe pjesëmarrja e kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jetë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka shtuar Abdullahu të shtunën (11 maj).

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (PDK), Ramush Haradinaj, ka thënë se tema për të cilën i ka ftuar Kurti u përket shefave të grupeve parlamentare.

“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejtë në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt të publikuar në Facebook të shtunën.

E, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer letrën Kurtit, duke thënë se ftesa për takim është e vonuar. Ai e ka akuzuar Kurtin për mbjellje të polarizimit ndaj partive politike.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.